Politika në Shqipëri ka dëshmuar dështime si në periudhën e komunizmit ashtu edhe të demokracisë.
Për këtë ambasadori amerikan në vendin tonë Donald Lu, jep shembull sesi në komunizëm dënoheshin qytetarët e pafajshëm nga udhëheqësit komunistë. Ndërsa në 27 vitet e fundit të demokracisë, ka ndodhur e kundërta. Politika e përlyer në krime – sipas Lu-së, ja ka dalë të jetë e paprekshme.. Prandaj në një situatë të tillë, kryediplomati amerikan ltë të kuptohet se i mbetet shoqërisë civile të marrë në dorë zbulimin e të vërtetës, duke shmangur politikën, që sipas tij i kanë dhënë provat e dështimit sa i përket zbatimit të ligjit.
Kështu, duke ju referuar polemikave rreth çështjes “Tahiri”, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Donald Lu, thotë se e vërtta duhet t’i shërbejë vetëm qytetarëve, si votues.
Nëse vërtetohet që është fajtor, atëherë ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, duhet të përballet me drejtësinë, – thotë kryediplomati.
“Brezat e kaluar kanë dështuar, por ju do të keni sukses. Ju do mposhtni korrupsionin. Por së pari, më lejoni të them dy fjalë në lidhje me polemikat aktuale rreth ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Të gjithë ju jeni duke parë të shkruhet historia në këtë vend. Ajo që dini është se në komunizëm, Shqipëria kishte problemin e turpshëm të udhëheqësve komunistë që dërgonin njerëz të pafajshëm në burgjet më të tmerrshme: në Spaç, në Burrel dhe në Qafë Bar.
Në 27 vitet e fundit, ky vend është përballur me problemin tjetër, me problemin e turpshëm të politikanëve të fuqishëm, nga e djathta dhe nga e majta, që kanë kryer krime të tmerrshme dhe i kanë shpëtuar drejtësisë, pa pushim. Nuk do të ishte e përshtatshme për mua të them nëse Saimir Tahiri është fajtor apo i pafajshëm. Por, është jashtëzakonisht e rëndësishme që ju si drejtues të shoqërisë civile, ju si të rinj, ju si qytetarë të Shqipërisë të zbuloni të vërtetën.
E drejta për të ditur të vërtetën nuk i përket asnjë partie politike. I përket qytetarëve të Shqipërisë. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. Ju nuk jeni gjyqtarë apo prokurorë, por jeni njerëz që votoni. Ju i dhatë besimin tuaj këtij personi si anëtar i Kuvendit dhe si ministër i lartë i kabinetit. Është përgjegjësia juaj të kërkoni që publiku të dijë të vërtetën për këtë çështje. Nëse është i pafajshëm, njerëzit duhet ta dinë këtë. Nëse është fajtor, ai duhet të përballet me drejtësinë”, u shpreh ambasadori Doland Lu këtë të enjte në një takim me Këshillin Rinor të Ambasadës Amerikane.
Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi nga parlamenti autorizimin për arrestim pasi dyshon për lidhje të tij me vëllezërit shqiptarë Habilaj, njëri prej të cilëve u arrestua javën e shkuar në Itali si pjesë e një organizate kriminale italo-shqiptare që merrej me trafikun e drogës mes dy vendeve. Por mazhoranca në Kuvend nuk e aprovoi këtë kërkesë. /Gazeta Express/