Një person i moshës 24-vjeçare, nga fshati Remnik i Vitisë, ka ndërruar jetë mbrëmë rreth orës 22:00, në një lokal nate në fshatin Budrikë të Epërme të Vitisë, si pasojë e shkrepjes me armë. Ndërkaq, një person tjetër ka mbetur i plagosur.
Lajmin për Gazetën Express, e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë rajonale në Gjilan, Ismet Hashani. Ai deklaroi se Prokuroria është duke e hetuar rastin. Ndërsa, vdekja për momentin është cilësuar si e dyshimtë.
“Dyshohet për një vdekje të dyshimtë si pasojë e përdorimit të armës aksidentalisht në një lokal atje, dhe ku një person tjetër ka mbetur i plagosur”, ka thënë Hashani.
Kurse trupi i pajetë i viktimës, me urdhër të prokurorit, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Njësitë përkatëse policore janë duke kryer hetimet për zbardhjen e ngjarjes.