Lajme

Ekskluzive: Në këto momente po zhvillohet takimi Veseli, Haradinaj dhe Pacolli

By FIRST CHANNEL

August 23, 2017

Një natë para seancës konstituive, Gazeta Express mëson se po mbahet një takim mes liderëve të partive të PAN’it, Ramush Haradinaj e Kadri Veseli, me kreun e AKR’së, Behgjet Pacolli. Në këtë takim mund të vendoset fati i seancës së nesërme, por edhe formimi i tërësishëm i Qeverisë. Partneri parazgjedhor i Pacollit, Isa Mustafa, pak orë më parë bëri të ditur se është takuar me kreun e AKR’së, me të cilin kanë betonuar aleancën mes tyre.

Por, burimet e Gazetës Express, tregojnë se Pacolli takim po zhvillon edhe me kampin tjetër, me të cilin herë shfaqën afërsi e herë thanë se nuk do të bëhen bashkë.

Gjatë ditës disa prej anëtarëve të kryesisë së AKR’së thanë se kjo parti nuk do të perkah kandidatin e PAN’it për kryetar të Kuvendit.

Megjithatë bazuar në takimin që po zhvillohet, bëhet e ditur se kreu i AKR’së nuk është i distancuar nga PAN. Përkundrazi, nëse arrihet një marrëveshje, ata edhe mund të vazhdojnë se bashku rrugëtimin e tyre politik.

Në takimin e kësaj mbrëmje thuhet se temë e diskutimit është kalimi i Demarkacionit, Asociacionit, për të cilat Pacolli ka disa kushte.

Ndryshe, kreu i AKR’së në Kuvendin e fundit që ka mbajtur kjo parti, ka marrë dritën e gjelbër që të marrë vendime, të cilat do ta zhbllokonin gjendjen politike. Qeveria gjithëpërfshirëse ishte kërkesa që Pacolli u bëri liderëve partiakë që pas përfundimit të zgjedhjeve.

Nesër pritet të mbahet seanca konstituive e koalicioni PAN kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre pas disa mungesave për shkak të të cilave akoma nuk është zgjedhur kreu i Kuvendit.