Kanë mbetur edhe pak minuta për të filluar seanca e paralajmëruar ditë më parë.
Megjithatë, vendin e tij deri në këto momente e ka zënë vetëm kryesuesi i Kuvendit, Adem Mikullovci.
Duke filluar nga ora 10:00, është thirrur vazhdimi i seancës konstituive, në të cilën pikë e vetme e rendit të ditës do të jetë zgjedhja e kryetarit të Parlamentit dhe nënkryetarëve.
Megjithatë, koalicioni PDK-AAK-Nisma ka ritheksuar se nuk do të marrë pjesë në seancë për të propozuar kandidatin e tyre, duke e bojkotuar kështu edhe një tjetër tentativë për zgjedhjen e kreut të Kuvendit. Anëtarja e kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu – Kodra ka deklaruar se deputetët e koalicionit PAN nuk do të jenë pjesë e seancës së sotme, duke thënë se e njëjta është thirrur në mënyrë të njëanshme.
Sipas saj, nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, e ka bërë të qartë se Grupi Parlamentar do të bojkotojë seancën, në rast se nuk mbahet takimi konsultativ i të gjitha subjekteve politike. “Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, e ka bërë të ditur qëndrimin që nuk marrim pjesë në seancë pasi ajo është thirrur në mënyrë të njëanshme. Hoxhaj ka propozuar që të mbajmë takimin konsultativ të mërkurën, dhe më pas të thirret seanca”, tha Deliu-Kodra.