Maqedonia sot shënon 16-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit në mes shqiptarëve dhe maqedonasve me të cilën iu dha fund konfliktit të armatosur në vitin 2001 dhe u vendos korniza për bashkëjetesë ndëretnike.
Marrëveshja u bë me asistimin e bashkësisë ndërkombëtare, pas luftimeve të cilat nisën në pranverën e vitit 2001.
Marrëveshja kornizë ndër të tjera u nënshkrua me qëllim të promovimit të zhvillimit të qetë dhe harmonik të shoqërisë qytetare, duke respektuar njëkohësisht identitetin etnik dhe interesat e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.
Kjo kontratë në mes dy popujve u nënshkrua nga kryetari i atëhershëm i Maqedonisë Boris Trajkovski, kryeministri i atëhershëm dhe lider i VMRO-DPMNE-së Lubço Georgievski, dhe nga liderët e LSDM-së Branko Cërvenkovski, PPD-së Imer Imeri dhe PDSH-së Arbën Xhaferi.

