Shëndet

Sekreti i arrës së njomë, ushqimi i jetëgjatësisë

By FIRST CHANNEL

August 12, 2017

Me një kërcitje të vetme, arrat shpalosin vlera dhe fantazi. Ato mund t’i hamë siç janë, t’i hedhim në sallatë ose t’i gatuajmë në ëmbëlsira.

Arrat e njoma nga ana tjetër kanë një shije të pakrahasueshme dhe të rrallë. Ato janë kremoze, kanë një ngjashmëri me arrën e kokosit por me një aromë unike të lehtë prej arrori. Për më tepër, këto arra janë më të mbushura dhe më të ëmbla se varianti i tyre i thatë. Në mjekësinë popullore, sipas të dhënave të AgroWeb.org, arrat e njoma përbëjnë një zgjidhje të rëndësishme kundër disa sëmundjeve.

Të thatat por edhe të njomat janë plot me vlera shëndetsore. Ato janë të pasura me acidet yndyrore omega-3 dhe një burim i pakonkurueshëm i acideve yndyrore mono-të-pangopura (72%) siç është acidi oleik. Ngrënia e arrave ul kolesterolin e keq dhe rrit atë të mirin.

Konsumi ditor prej 25 gramë plotëson 90 përqind të dozës së rekomanduar ditore të këtyre acideve që mjaftojnë për pakësimin e gjasave të shfaqjes së tensionit të lartë të gjakut dhe sëmundjeve të zemrës. Nga ana tjetër, arrat fuqizojnë shtyllat e organizmit tonë siç janë kockat. Arrat shumëfishojnë përthithjen dhe depozitimin e kalciumit dhe pakësojnë nxjerrjen e këtij minerali jashtë organizmit nëpërmjet urinës.

Arrat ofrojnë minerale si mangani, bakri, kaliumi, kalciumi, hekuri, magnezi, zinku dhe seleniumi. Këto minerale kontribuojnë në mirëqenien e metabolizmit, rritjen dhe zhvillimin, fertilitetin tek meshkujt, tretjen dhe sintetizimin e acidit nukleik. Arrat janë një burim i pasur antioksidantësh dhe yndyrnash të shëndetshme. Ato pakësojnë faktorët e rrezikut të sëmundjeve të zemrës, gjithnjë nëse janë pjesë e një stili të shëndetshëm jetese.

Arrat janë një ushqim fantastik i jetëgjatësisë. Çuditërisht, arrat janë një burim i lartë i melatoninës, një ushqyes i lidhur fort me gjumin. Thënë ndryshe, pa melatoninën nuk ka gjumë. Rrjedhimisht ngrënia e arrës luan një rol në qetësimin gjatë ditës dhe në gjumin e mirë dhe të qetë gjatë natës.

Arrat përmbajnë acide esenciale yndyrore siç është edhe acidi alfa linolenik, përbërësit e të cilit janë të lidhur me fortësinë dhe shëndetin e kockave. Falë arrave, ne furnizohemi me acidet yndyrore omega 3, nëpërmjet të cilave luftojmë inflamacionin dhe kemi kocka të forta për një periudhë të gjatë.