Lajme

Arrestohet specialisti dhe punëtori i Shërbimit Pyjor në Ersekë, lejuan ‘skandalin’ me pemët

By FIRST CHANNEL

August 12, 2017

Ndalohen dy shtetas dhe procedohen penalisht në gjendje të lirë, dy të tjerë për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Prerja e paligjshme e pyjeve”.

Policia e Korces njofton se konkretisht ndalohet specialisti i pyjeve dhe një punëtor i Agjensisë të Shëbimit Pyjor Ersekë. Gjithashtu procedohen penalisht në gjendje të lirë përgjegjësi i Sektorit Pyjor, si edhe administratori i një firme private. Specialistët e Seksionit për Krimin Ekonomik-Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në vijim të punës bënë ndalimin me iniciativë të shtetasve:

Fatjon Kasko, 34 vjeç, banues në Starje-Ersekë (me detyrë inxhinier/specialist pyjesh në agjensinë e Shëbimit Pyjor Ersekë) dhe Qazim Cacani, 49 vjeç, banues në Taç-Ersekë.

Ndalimi i tyre u bë pasi shtetasi Fatjon Kasko, dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke lëshuar një leje shfrytëzimi, në mënyrë të kundërligjshme për prerjen e 20 drurëve (pishë), në kurorën e qytetit të Ersekës dhe shtetasi Qazim Cacani (punëtor) ka prerë në vazhdim 85 drurë, duke dëmtuar kurorën me pisha të mbjella në një largësi prej 1 km nga qyteti i Ersekës.

Gjithashtu po nga specialistët e kësaj strukture filloi procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetasit :

E.Ç, 31 vjeç, banues në Ersekë, (me detyrë Përgjegjës i Sektorit Pyjor Ersekë) dhe

E.G, 50 vjeç, banues në Ersekë, (administrator i një firme private).

Procedimi ndaj tyre filloi pasi shtetasi E.Ç, dyshohet se nuk ka ushtruar kontroll ndaj subjektit privat të shtetasit E.G, e cila ka abuzuar me lejen e dhënë duke prerë një sasi lënde drusore të llojit ah në afërsi të fshatit Orgockë-Ersekë, duke shkelur ligjin për “Shpalljen e Moratoriumit të pyjeve”.

Gjatë kontrollit të këtij subjekti, një punonjës i tij, rezultoi i punësuar në mënyrë të paligjshme, i pasiguruar. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale : “Shpërdorimi i detyrës”, “Prerja e paligjshme e pyjeve” dhe “Punësimi i paligjshëm” parashikuar nga nenet 248, 205 e 170/a të Kodit Penal. /Gazeta Express/