Lajme

“Na shohin si gjahun e tyre veror!” Kosovari rrëfen se çfarë i ndodhi në Shqipëri

By FIRST CHANNEL

August 07, 2017

Një shtetas i Kosovës i cili ishte nisur me familjen e tij për pushime në bregdetin shqiptar ka rrëfyer se si i janë kërkuar lekë nga dy punonjës të policisë në Fushë-Krujë, të cilët i thanë troç se donin 10 euro për të pirë kafen.

“Mbrëmë u nisa nga Prishtina për në bregdetin shqiptar me nusen dhe dy fëmijët. Rreth orës 4:30 të mëngjesit, më ndali policia afër Fushë-Krujës. Pas 20 minutash këmbëngulje, u bindën se siguracionin e makinës e kisha të vlefshëm për të lëvizur edhe në Shqipëri. Si rrjedhim, më kërcënuan që ose t’u jepja 10 euro për kafe ose do ta gjenin se për çfarë të më penalizonin. Unë këmbëngula që të mos u jepja asgjë, kështu që më gjobitën 5000 lekë të reja për rripin e sigurimit.

Arrita të merrja numrat e policëve. Numrat e tyre ishin përkatësisht 08258 dhe 07935 dhe vetura e tyre kishte targën MB-296 AA. Shpresoj që dikush të merret me këtë çështje. Është për të ardhur keq mënyra si na shohin neve nga Kosova një pjesë e shqiptarëve: si gjahun e tyre veror. Shqipërinë nuk e ndërroj me gjithë botën dhe pikërisht ngaqë e dua, nuk dëshiroj ta shoh në këtë gjendje. Dëshiroj të mbetem anonim. Do të dëshmuar me gjithë qejf përpara gjykatësve për këtë rast që policët më kërkuan para në vend të gjobës” , ka denoncuar ai përmes redaksisë së JOQ.