Dy ditë pas prangosjes së një 28-vjeçareje që mashtronte qytetarët duke i marrë deri në 2 mijë euro në këmbim të premtimeve të rreme për punësim në administratë, policia e Elbasanit ka vënë në pranga një 51-vjeçar të konsideruar bashkëpunëtor të sajin.
Beqir Gjura, akuzohet për falsifikim të vulave, stampave ose formularëve, dhe në banesën e tij, policia i gjeti dokumente të ndryshme identifikimi, leje qarkullimi të automjeteve, etj. Pasi u dha masa arrest me burg për Klodiana Kuqin, policia ra në gjurmët e Beqir Gjurës, pasi të dy shoqëroheshin shumë me njëri-tjetrin.
Pritet vendimi i Gjykatës së Elbasanit për të caktuar masën e sigurimit personal ndaj 51-vjeçarit, ndërsa deri më tani përveç miqësisë ata nuk kanë pranuar të kenë bashkëpunuar me njëri-tjetrin për të kryer aktivitete të jashtëligjshme.
Klodiana Kuqi i paraqitej qytetarëve si person që kishte njohje me zyrtarë, ndaj në këmbim të 500 deri në 2000 euro, u premtonte atyre dhe i garantonte se do t’i gjende punë në shtet përmes njohjeve të saj në institucione të ndryshme të Administratës Publike, kryesisht te Tatimet, Posta dhe Sigurimet Shoqërore. /Gazeta Express/

