Një 38-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge në Itali, u arrestua nga Policia e Durrësit gjatë ditës së sotme.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunim me Interpol dhe Sektorin e Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, arrestuan me qëllim ekstradimi drejt Italisë, Dario Myftiun banues në Durrës, i dënuar më parë në Shqipëri për falsifikim dokumentesh.
Arrestimi i tij u bë pasi Gjykata e Padovës në Itali më 6 korrik të këtij viti ka lëshuar urdhrin e Arrestit për veprën penale “Trafik droge”, parashikuar në nenet 81, të Kodit Penal Italian, dhe nenit 73 e 80 të ligjit “Mbi drogat”.
Maksimumi i dënimit për këtë vepër penale është 20 vjet burg.
Dario Myftiu është një emër i njohur për drejtësinë italiane, transmeton Express. Në vitin 2008 ai u arrestua nga Policia e Romës pasi ju zbulua një rafineri heroine në Bergamo, ku u sekuestruan 30 kilogramë drogë. Ai përfundoi në burg, por më vonë fitoi lirinë pasi përfitoi nga një dekret espulsi nga Italia deri në vitin 2022.
Shqiptari, e theu këtë dekret pasi nuk u largua kurrë nga Italia. Ai ra sërish në prangat e policisë në gusht të vitit 2016, por u la i lirë për një gabim burokratik të drejtësish italiane. Shqiptarit nuk i ishte komunikuar zyrtarisht dekreti, kështu që ai nuk mund ta dinte.
“Një boss i mafias shqiptare është lënë i lirë për shkak të një gabimi: Një çështje teknike burokratike”, shkruante në shtator të 2016-ës Il Gazetino.
Ai fitoi qetësisht lirinë, derisa në 2017-ën, policia ka rënë sërish në gjurmët e tij, pasi Myftiu është marrë sërish me drogë. Ai ishte arratisur nga Italia, derisa u ndalua këtë të martë në qytetin e Durrësit dhe pritet të ekstradohet drejt shtetit fqinj për tu përballur me drejtësinë atje.
/Gazeta Express/