Lajme

Zbulohet një nga drejtuesit e grupit të 1.3 tonëve drogë të kapur në Kavajë

By FIRST CHANNEL

July 17, 2017

Pesë të arrestuarit për 1.3 ton kanabis të kapura të premten ne Kavajë do të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimeve.

Gjykata e Krimeve të Rënda me kërkesë të prokurorisë ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për Joni Sadikajn, Roland Hysenbelliun, Kejvi Hajdarin, Arvis Muçajn dhe Aristotel Kasajn.

Por dëshmitë e të ndaluarve në sallën e gjyqit duket se kanë zbuluar një nga drejtuesit e këtij rrjeti. Mjeti, në të cilin u gjet 300 kilogramë kanabis, është në pronësi të Aritotel Kasajt, i cili ia kishte shitur Arvis Muçajt, por pa kryer procedurën e kalimit të pronësisë. Ndërsa Muçaj deklaroi në sallën e gjyqit se të njëtin mjet ia kishte shitur shtetasit E. Sina nga Vlora.

Ky person është shpallur në kërkim nga prokuroria dhe dyshohet se është organizatori i trafikut. Sipas hetimeve ai ka siguruar lëndën narkotike, kryesisht në Vlorë dhe Tepelenë, makinat për trasportin deri në Plazhin e Gjeneralit dhe gomonen për ta trafikuar drejt Italisë.

E.Sina, i shpallur në kërkim, ka lidhje familjare me të arrestuarin Joni Sadikaj. Por 18-vjecari mohoi në sallën e gjyqit që të kishte lidhje me trafikantin. Ai tha se së bashku me miqtë e tij, Kejvi Hajdari dhe Roland Hysenbelliu, pasi drekuan ne një restorant në Synej të Kavajës, humbën rrugën për t’u kthyer në Tiranë dhe se u ndaluan kur pyetën një patrullë të policisë se ç’rrugë duhet të merrnin.

Por prokuroria solli disa përgjime ambientale të kryera në komisariatin e Kavajës, ku ai, Hajdari dhe Hysenbelliu flasin me njëri-tjetrin për sasinë e drogës dhe diskutojnë se çfarë duhet të thonë.