Spalletti e ka konfirmuar interesimin e Interit për Nainggolanin
Luciano Spalletti e ka konfirmuar se Interi është duke tentuar ta blejë mesfushorin belg, Radja Nainggolan, nga rivali i Serie A, Roma.
Monchi, drejtori i ri sportiv i Romës, ka demantuar gjithçka ditë më parë, por Interi është duke insistuar për 29 vjeçarin.
“Nainggolan? Është diçka me të cilën po merren drejtorët”, u përgjigj Spalletti, pas humbjes 2:1 në miqësore nga Nurnbergu të shtunën.
“Siç thash, duhet të lejmë disa situata të piqen dhe Nainggolan është një prej tyre. Është folur për këtë gjë dhe drejtorët e kanë në mendje”, shtoi Spalletti duke lënë të kuptohet se nuk i ngutet në transferimin e belgut.
Për lojtarin raportohet se janë duke u interesuar edhe Milani dhe Chelsea, këta të fundit mund të heqin tashmë dorë pas transferimit të Tiemoué Bakayoko nga Monaco. /Gazeta Express/

