Deputetja e Partisë Demokratike, Mimoza Hajdarmataj reagoi në lidhje me ngjarjet tragjike të ndodhura sot në Vlorë, aty ku humbën jetën 4 persona.
Sipas ligjvënëses së PD-së teksa Shqipëria lëngon nga këto humbje jetësh, kryeministri e ministrat janë në pushime jashtë e brenda vendit.
POSTIMI I MIMOZA HAJDARMATAJ
Shqipëria më e zezë sot se dje.
Shqiptarët të shokuar, nga dhimbja për jetët e humbura tragjikisht në ujrat e Adriatikut në Vlorë.
Një i ri nga Tetova, sakrifikoi jetën për të shpëtuar motrat shqiptare. Akti më fisnik, më i jashtëzakonshëm që na drithëroi shpirtin të gjithëve.
Por kryeministri e ministrat, në pushime jashtë e brenda vendit, në lluks e në siguri personale, heshtin dhe nuk japin asnjë sqarim, pse cdo ditë humb jetën të paktën një pushues në bregdetin shqiptar.
Ky është sezoni më i trishtë i pushimeve për shqiptarët, si në sigurinë e munguar të jetës, në cmime stratosferike, në thatësirën e ujit, në higjienën e cënuar, në mjedisin e ndotur, në rrugët e bllokuara,…..e plot premtime të pambajtura të qeverisjes “Rama 1” dhe asaj në pritje “Rama 2”.
Vendi ngjan si në një zi të zgjatur…/Gazeta Express