Lajme

Sërish fundjavë në Gjirin e Lalëzit?! KUJDES nga shkelja që mund t’ju “qerasë” me GJOBE!

By FIRST CHANNEL

July 15, 2017

Dy fundjavat e shkuara ishin provë e dyndjes së pushuesve drejt zonës bregdetare të Gjirit të Lalëzit, kryesisht nga kryeqyteti, e për pasojë pas kënaqësisë së marrë nga deti, orë të tëra tmerri kalonin në një trafik të rënduar.

Kjo për shkak të orareve të pikut që pushuesit zgjidhnin për të shkuar drejt Gjirit të Lalëzit, dhe akoma më i rënduar, gjatë pasdites në kthim.

Për këtë arsye, Policia Rrugore ka bërë një njoftim të rëndësishëm për qytetarët, ku i këshillon drejtuesit e automjeteve që të zgjedhin akset dytësore, siç është ai Tiranë-Ndroq- Plepa-Durrës, ose në alternative edhe aksin Tiranë – Tuneli i Krrabës – Elbasan – Rrogozhinë.

“Policia Rrugore porosit drejtuesit e mjeteve të shmangin tejkalimet e shpejtësisë, parakalimet e gabuara, përdorimin e alkoolit dhe gjithashtu në çdo rast të përdorin rripat e sigurimit dhe për motoçiklistët kaskat mbrojtëse”, thuhet në një njoftim zyrtar.

Por pse vjen ky paralajmërim?

Nisur nga fundjavat e shkuara, kanë qenë të shumta shkeljet e drejtuesve të automjeteve, që për t’i “shpëtuar” radhëve të gjata të makinave, të bëjnë parakalime të gabuara duke ecur kundravajtje, në korsinë e kundërt. Duke menduar se i lehtësojnë punë vetes duke mbërritur më herët në destinacion, ata në fakt nuk dinë se janë gjobitur për shkeljen e bërë.

Për të shmangur trafikun, policia ka vendosur efektivë të shumtë në rrugën e Gjirit të Lalëzit, për të orientuar drejtuesit drejt rrugëve dytësore, apo edhe për të vendosur radhën e kalimit të automjeteve që vijnë nga rrugë të ndryshme.

Ajo që i ka “mashtruar” shoferët të mendojnë se ja kanë hedhur pasi kanë bërë parakalim të gabuar dhe nuk janë ndaluar nga policia, në fakt është thjesht një iluzion i tyre.

Efektivë të posaçëm mbajnë shënim në bllok të gjitha targat e automjeteve që janë bërë burim aksidenti duke rrezikuar automjetet që vijnë në korsinë e duhur. Kështu, ata gjobiten në mungesë, dhe në zbatim të nenit 199 të ligjit nr.8378 date 22.07.1998, i ndryshuar, njoftohen brenda 30 ditëve sipas adresave të pronësive të automjeteve.

Express mëson gjithashtu, se arsyeja përse këto automjete nuk ndalohen nga policia menjëherë sapo konstatohet shkelja, është për shkak të rrethanave të rënduara të trafikut, pasi korsitë e rrugës janë të mbingarkuara me automjete në kolona të gjata.

Kështu, nëse zgjidhni edhe këtë fundjavë Gjirin e Lalëzit si vendin për tu relaksuar, bëni mirë të mendoheni për parakalimet e gabuara, që më shumë se sa ju cojnë më shpejt në destinacion, ju lënë me vete një gjobë të majme!

/Gazeta Express/