Dita e djeshme ka qenë e gjatë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pasi ajo mori përsipër rinumërimin e 64 kutive të konstestuara nga PDIU dhe PS për qarkun e Tiranës.
Por me përfundimin e rinumërimit të të gjitha kutive, shumnica të kontestuara nga PDIU, asgjë e re nuk ndodhi, PS mbajti mandatin e saj të 18 në Tiranë, ndërsa ëndrra e Shpëtim Idrizit për të qenë deputet për 4 vitet e ardhshme u shua.
Por pak përpara se KQZ të përfundonte me numërimin e këtyre kutive, PDIU bëri një lëvizje, dorëzoi në këtë institucion kërkesën që të hapen të gjitha kutitë e qarkut të Tiranës, pasi ishin të bindur se i ishte vjedhur një mandat.
I ftuar në Neës 24, kreu i KQZ Klement Zguri ka komentuar një ditë më vonë, vendimin e djeshëm të KZQ-së për të hedhur poshtë kërkesën e PDIU-së.
Sipas Zgurit, në zgjedhjet e 25 qershorit ka patur probleme dhe gabime, pasi shumë komisionerë ishin të patrajnuar mirë, një gafë kjo që vetë drejtuesi i KQZ-së ja vendos partive politike që vonuan sjellen e tyre për trajnime në institucionin kryesor të zgjedhjeve.
“Gabimet ishin për shkak të komisionerëve të patrajnuar mirë dhe kjo është e pafalshme. Votat përfunduan më vonë në Tiranë në krahasim me qarqet e tjera. Pas rinumërimit nuk kishte ndryshime mandati dhe kjo nuk e cenon procesin zgjedhor. Por sigurisht është alarm dhe gabimet nuk duhet të përsëriten…”-tha Zguri.
Nga ana tjetër, Zguri shprehet se problemi i KQZ-së nuk ishte frika nga lodhja për të rinumëruar të gjithë Tiranën, por nuk kishte asnjë provë apo fakt që kërkesa për të hapur kutitë e qarkut më të madh të vendit të ndodhte.
“Profesionalisht do ishte shumë e ulët. A ka gjykim pa mosmarrëveshje. Në Tiranë nuk kishte asnjë ankimim nga asnjë komisioner. Nuk i druheshim lodhjes, por si mund të hapet një qark pa pasur prova dhe fakte? Ose një shënim se ka pasur neglizhencë nga komisionerët apo nga numëruesit”- theksoi kreu i KQZ-së./Gazeta Express