Lajme

E rrallë: Komuna nuk ka buxhet, drejtori për shëndetësi ia paguan vet qiranë familjes skamnore

By FIRST CHANNEL

July 11, 2017

Komuna e Drenasit për një kohë të gjatë i kishte paguar qiranë e banesës, Bashkim Deliut nga Abrija e Epërme. Por mungesa e buxhetit për vitin 2017 bëri që pagesa për Deliun, që jeton në kushte të rënda sociale, t’i ndalohet.

Bashkimi që jeton me gruan dhe dy djemtë e vegjël ka kërkuar ndihmë nga komuna që pagesa t’i vazhdohet, por një gjë e tilla ka qenë e pamundur për shkak të kufizimeve buxhetore. Duke e parë gjendjen e në të cilën ndodhej Bashkimi me familje, por edhe pamundësisë buxhetore të komunës që të ndajë para, Dr. Ilir Shala drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka bërë një veprim që rrallë ndodhë në Kosovë. Ai ka vendosur që nga buxheti familjar t’ia paguj qiranë familjes Deliu, shkruan Magazina.al

Kjo pagesë do vazhdojë për aq kohë sa në krye të kësaj drejtorie të qëndrojë Shala. Një akt i tillë ka lehtësuar në masë të madhe barrën që ka Bashkimi i cili edhe sot vuan pasojat e luftës që për të dhe familjen e tij janë ende prezente. Njeriu që i shpëtoi masakres së Abrisë, tash përballet me luftën për ekzistencë. I sëmurë dhe me probleme fizike që nga lindja, Bashkimi e ka mirëpritur këtë ndihmë nga Shala të cilën as që kishte menduar. “Qiranë po ma paguan doktor Iliri”, ka thënë Deliu i pyetur nga Magazina.al, nëse ka zgjedhur problemin me pagesën mujore që ia bënte pronarit ët shtëpisë.

I kontaktuar nga Magazina.al, Shala nuk ka dashur të deklarohet për vendimin që ka marrë. Por për të ka folur, Deliu i cili ka treguar për veprimin human që po bën Drejtori për Shëndetësi dhe Mirqenie Sociale. “Ai është pika e djalit. Edhe si drejtor është shumë i mirë, edhe si njeri por edhe familjarisht. Familja e tij njihet në krejt komunen edhe për kontributin kombetar”, ka thënë Deliu.

Përtej ndihmës mujore që Shala i ofron familjes Deliu e për cka Bashkimi është shumë falenderues, kryefamiljari nga Abria pret që ta ketë një zgjidhje të përhershme nga komuna në mënyrë që kjo familje të mos jetë e varur nga vullneti i njerëzve por ta ketë të zgjidhur një herë e përgjithmonë problemin e banimit. /Magazina.al/