Ymeri pranon takimin me Haradinajn, me një kusht

Kryetari i VV-së, Visar Ymeri, ka thënë se me kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj, do të takohej për të biseduar për bashkëpunim vetëm nëse ky i fundit bën ftesë si kryetar i AAK-së, pasi të jetë dalë nga PAN-i.

Kjo është përgjigja që kreu i VV-së i ka bërë mandatarit për kryeministër të koalicionit PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, i cili sot përveç Ymerit, përmes një letre ftoi edhe Isa Mustafën e LDK-së në një takim të përbashkët, pasi u certifikuan rezultatet.

“Sot kam pranuar një letër prej kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajt. Prej letrës së tij, kuptohet që z. Haradinaj dëshiron takim, por nuk është i qartë qëllimi i këtij takimi. Nëse është fjala për koordinimin e mbledhjes së parë të Kuvendit ky nuk është roli e as detyra e z. Haradinaj. Duke qenë vetëm njëri prej deputetëve të legjislaturës së gjashtë Z. Haradinaj nuk e ka rolin e koordinimit dhe konsultimit për mbledhjen e parë”, ka shkruar Ymeri në Facebook.

“Në qoftë se z. Haradinaj po na fton për të diskutuar mundësinë e bashkëpunimit për qeverisje ai takim mund të pranohet vetëm kur ftesa bëhet nga pozita e kryetarit të AAK dhe pasi të dalë prej PAN-it”, ka deklaruar kryetari i VV-së.

Temat
LajmeVend

Të afërta