I biri i Trump e ndryshon deklaratën, thotë se u takua me avokaten ruse për të folur për Hillary-in

Donald Trump Jr, i biri i presidentit amerikan, Donald Trump, e ka pranuar se ishte takuar me një avokate ruse vitin e kaluar, për të cilën tani thotë se i kishte premtuar atij informata që do ta dëmtonin Hillary Clintonin.
Megjithatë, Donald Trump Jr, ka thënë se avokatja Natalia Veselnitskaya, nuk i kishte dhënë material domethënës për kandidaten e atëhershme për presidente të SHBA-së, transmeton Express.

Po ashtu në këtë takim, për të cilin u raportuar së pari nga New York Times, ishin prezent edhe dhëndri i presidentit, Jared Kushner dhe shefi i atëhershëm i fushatës së Trumpit, Paul J Manafort.

Zyrtarët amerikanë janë duke e hetuar përzierjen e dyshuar ruse në zgjedhjet amerikane.

FBI-ja dhe Kongresi Amerikan janë duke hetuar nëse zyrtarët e fushatës së Trumpit kishin punuar fshehurazi me Kremlinin për t’ia minuar fushatën e Hillary Clintonit. Hetimet ende nuk kanë ofruar dëshmi se një gjë e tillë ka ndodhur.

Takimi me Veselnitskaya, për të cilën thuhet se ka lidhje me Kremlini, ndodhi më 9 qershor 2016 në Kullen e Trumpit në Nju Jork, vetëm dy javë pasi Donald Trump e siguroi nominimin për president nga radhët e republikanëve.

Dje, The Times raportoi se Trump Jr ishte pajtuar të takohej pasi i ishte ofruar informata të cilat potencialisht do të rezultonin të dëmshme për Hillary Clintonin, e cila në atë kohë ishte kandidate për presidente nga radhët e demokratëve.

“Ajo [Natalia] theksoi se kishte informata se individë të lidhur me Rusinë po e financonin Komitetit Kombëtar Demokratik dhe po e përkrahnin Zonjën Klinton. Deklaratat e saj ishin të paqarta, ambicioze dhe nuk kishin kuptim. Asnjë detaj apo informatë përkrahëse nuk është dhënë apo ofruar. Shumë shpejt u bë e qartë se ajo nuk kishte informata kuptimplota,” ka thënë Trump Jr.

Temat
BotëLajme

Të afërta