Lajme

Kuvendi duhet të konstituohet brenda muajit

By FIRST CHANNEL

July 09, 2017

Sipas Kushtetutës seanca konstituive duhet të mbahet brenda 30 ditëve

Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve nga KQZ-ja, është hapur rruga për formimin e institucioneve, konstituimit të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.

Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, nenit 66, pikës 1, Kuvendi i Kosovës zgjedhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.

Kjo i bie se Kuvendi duhet të konstituohet deri me 8 gusht, pra një muaj nga dita e djeshme(8 korrik), kur u bë certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve.

Pas konstituimit të Kuvendit, në bazë të nenit 95 të Kushtetutës së Kosovës, pikës 1, Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë.

Sipas kësaj pike, mandatari për kryeministër i koalicionit PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj do të tentoj që herën e parë ta formoj qeverinë në bazë të votave të fituara në zgjedhje.

Ndërsa, pika 2 e po të njëjtit nen, Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.

Sipas pikës 3 të nenit 95, Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Derisa, pika 4 e nenit 95 thotë se, Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë.

“Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”, thuhet me tutje në pikën 4.

Seancën e parë konstituive të Kuvendit e udhëheq deputeti më i vjetër i zgjedhur dhe deputeti më i ri i zgjedhur.