PAN ende s’ka kandidat për Kryeparlamentar

Tashmë kur jemi shumë afër drejt formimit të institucioneve të vendit, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhje sot certifikoi zgjedhjet e 11 qershorit, koalicioni fitues PAN ende nuk ka dhënë ndonjë emër si kandidat të mundshëm për ta udhëhequr Parlamentin.

Deri më tani, postin e kryetarit të Kuvendit e udhëhoqi për disa vite kryetari i PDK’së Kadri Veseli.

Ky i fundit hoqi dorë nga kandidatura e tij për postin e Kryeministrit duke ia dhënë këtë të drejtë liderit të AAK’së Ramush Haradinajt, me të cilin edhe janë në koalicion.

Me marrëveshjen politike të arritur mes tri partive, PDK-AAK-NISMA, është e specifikuar që kjo pozitë t’i takojë Partisë Demokratike të Kosovës, e cila ia ka besuar AAK-së mandatin e kryeministrit, shkruan GazetaExpress.

Megjithatë, ende nuk dihet nëse kreu i PDK-së, Kadri Veseli, do të kandidojë sërish për këtë pozitë apo ajo do t’i besohet dikujt tjetër.

Nga ana tjetër, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Memli Krasniqi ka thënë në emisionin Komiteti se ende nuk kanë biseduar konkretisht për ndarjen e pozicioneve sepse sipas tij rezultati i zgjedhje i ka fokusuar ata më shumë në gjetjen e asaj se, cilat ishin arsyet se pse janë në situatën e tanishme dhe ku duhet pozicionuar.

Krasniqi nuk e ka përjashtuar mundësinë për të qenë në krye të Kuvendit kur ishte pyetur për një gjë të tillë por që sqaroi se nuk e ka menduar këtë çështje dhe nuk ka ndonjë afinitet për të qenë Kryetar i Parlamentit.

Zëvendëskryetari i PDK’së tha se ka mundësi që kryetari i partisë së tyre të mos e udhëheq më Kuvendin e Kosovës por që siç u shpreh ai, as Veseli nuk ka vendosur për një gjë të tillë nëse do të jetë pjesë e ekzekutivit apo legjislativit.

Kujtojmë se më së largu, Kuvendi i Kosovës do të konstituohet pasi kalon edhe afati prej 30 ditësh nga certifikimi i zgjedhjeve të 11 qershorit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi do të dekretojë mandatarin për formimin e Qeverisë dhe ka kohë vetëm 15 ditë për të formuar Qeverinë./GazetaExpress/

Temat
Vend

Të afërta