Para takimit me Vuçiqin, Thaçi fton për untitet të gjitha partitë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, para takimit të nesërm në Brusel me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ka treguar cila është arsyeja e këtij takimi dhe cilat do të jenë temat eventuale të bisedimeve.

Thaçi, duke iu referuar nevojës së krijimit sa më shpejtë të institucioneve të reja, ka ftuar për untitet të gjitha partitë politike dhe institucionet e Republikës së Kosovës në të gjitha çështjet e interesit shtetëror.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se “ky është vetëm takimi fillestar në këtë fazë të re të dialogut, që dëshmon përkushtimin tonë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, që është kriter kyç për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO”, transmeton Telegrafi.

Postimi i plotë i Thaçit:

“Nesër, në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, së bashku me zonjën Mogerini dhe presidentin e Serbisë, do të diskutojmë dhe shkëmbejmë idetë fillestare për mënyrën se si do të vazhdojmë dialogun në fazën e re dhe objektivat që synojmë të arrijmë në kuadër të procesit të normalizimit.

Ky është vetëm takimi fillestar në këtë fazë të re të dialogut, që dëshmon përkushtimin tonë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, që është kriter kyç për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO.

Duke marrë në kosideratë detyrat e shumta që i presin institucionet e reja që duhet të krijohen pa humbur kohë, ftoj për untitet të gjitha partitë politike dhe institucionet e Republikës së Kosovës në të gjitha çështjet e interesit shtetëror.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është pikërisht një çështje prioritare e interesit shtetëror, prandaj unë do të punoj me këmbëngulje që të jemi të bashkuar si institucione shtetërore dhe parti poltike parlamentare pa përjashtim. HTH” (sic.), ka shkruar Thaçi.

Temat
LajmeVend

Të afërta