Sipas Auditorit institucionet e arsimit kanë shumë probleme financiare e menaxheriale
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë nuk kishte përformancë të mirë financarie, por dha avancë për ndërtimin e një shkolle në Klinë. Kjo ministri ka pranuar mallra dhe pastaj ka bërë kërkesën. Kurse, profesorët e universiteteve publike kanë marrë pagën e plotë edhe pse nuk i kanë mbajtur të gjitha orët e paraparë, detyrimi për të paguar provimet nuk do të duhej të ndodhë pasi kjo do të duhej të jetë pjesë e punës për të cilën profesorët e marrin pagën bazë. Kështu thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditorit për vitin 2016, ku theksohet se procesi i ndërtimit është përcjellë të shkollave me vonesa shumëvjeçare.
Sipas raportit, universitetet publike, të cilat funksionojnë në kuadër të MAShT-it, nuk e plotësojnë pyetësorin e vet-vlerësimit, nuk kishin strategji zhvillimore me përjashtim të Universitetit të Gjakovës, dhe nuk kishin plane vjetore të punës për vitin 2016, si dhe nuk kishin regjistër të rreziqeve.
“Gjatë vitit 2016, në 17 raste pozitat menaxhuese përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm, drejtoret e departamenteve, udhëheqës të divizionit dhe pozita të zyrtarëve të ndryshëm ishin mbuluara me Ushtrues Detyre, për raste të caktuara me kohëzgjatje më shumë se një vjet. Kjo dukuri është e shprehur edhe në agjencitë dhe programet tjera të MAShT. Kjo situatë ka rrjedhë si pasojë e mos përfundimit të proceseve gjyqësore dhe mospërfilljes së afatit për UD. Si rezultat funksionimi i strukturave qeverisëse nuk ka siguruar gjithmonë llogaridhënie efektive”, theksohet në raport.
Në raportin e Auditorit po ashtu thuhet se kanë mbetur pa u mbuluar nga auditimi i brendshëm, fusha të rëndësishme si prokurimi dhe qendra e studentëve, ndërsa aty ku është bërë auditivi nuk janë marrë parasysh rekomandimet nga menaxhmenti.
Auditori në këtë raport ka vlerësuar se edhe pse buxheti final është realizuar në masën 96%, nuk mund të themi se MAShT-i kishte performancë të mirë buxhetore, kjo për shkak se gjatë vitit janë shfaqur nevoja të shumta për ri përshtatje të buxhetit dhe transfere në mes kategorive dhe programeve të ndryshme buxhetore.
Po ashtu koncentrimi i shpenzimeve ishte në pjesën e fundit të vitit, ku 46% e buxhetit total është shpenzuar në tremujorin e fundit të vitit.Në rastet e realizimit të punëve ndërtimore që kanë të bëjnë me ndërtimin e objekteve arsimore, Auditori thotë se për shtatë kontratat e testuara, MAShT kishte caktuar menaxheret e kontratave të cilët kanë përcjellë realizimin e punimeve, mirëpo nuk kishte caktuar edhe organin mbikëqyrës profesional i cili njëkohësisht bënë përcjelljen e investimeve kapitale dhe mbikëqyrë punët specifike të parapara në kontratë.
Sipas Auditorit, procesi i ndërtimit është përcjellë të shkollave me vonesa shumëvjeçare.“Nga 11 projektet e filluara në vitin 2009, gjashtë prej tyre janë përfunduar, dy ishin në proces të pranimit teknik, derisa në tri të tjera ende vazhdojnë punimet. MAShT nuk kishte aplikuar penale ndaj kompanive, ngase sipas tyre rrethanat e vonesave kanë qenë të dyanshme, mungesa e buxhetit, ndryshimet në specifika dhe neglizhenca e kompanive nga ana tjetër. Në procedimin e 17 pagesave të ndërlidhura me mallrat dhe shërbimet me vlerë 425,722€, ne kemi gjetur se fillimisht ishin pranuar mallrat/shërbimet dhe fatura, ndërkaq më vonë ishte bërë (zotimi i mjeteve, kërkesa për blerje, dhe urdhërblerja). Po ashtu te tetë pagesa të investimeve kapitale me vlerë 526,249€, zotimi ishte bërë pas faturimit”, thuhet në raportin e Auditorit.
Sipas Auditorit, vlera e obligimeve të papaguara në fund të vitit 2016 ishte 593,760 euro. Kjo paraqet një pjesë të sfidës buxhetore ngase ministria kishte edhe detyrime kontingjente në vlerë 726,530 euro. Përderisa detyrimet kishin pësuar zvogëlim të konsiderueshëm, detyrimet kontingjente ishin rritur për rreth 11%. Rritja e detyrimeve kontingjente mund të afektojë buxhetin i cili është planifikuar të shpenzohet për projekte tjera.