Ja kush duhet ta përfaqësojë Kosovën në dialogun Prishtinë-Beograd sipas AAK-së?

Informacionet se dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të kalojë në nivel presidentësh, kanë nxitur reagimin e Lidhjes Demokratike e Kosovës, e cila ka thënë se dialogu duhet të bëhet nga Qeveria e jo nga presidenti.

Një qëndrim tjetër ka Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Deputeti i ardhshëm i kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, Pal Lekaj ka thënë për lajmi.net se dialogu nuk duhet të vazhdojë në formën që ka qenë më herët, duke përmendur edhe disa nga temat të cilat duhet të specifikohen.

“Dialogu i formës që ka qenë nuk duhet të vazhdojë si i tillë. Kosova duhet ta ketë një platformë të sajën, çka kërkon nga ky dialog, cilat kanë qenë përfitimet e çka mund të bëhet tutje. Duhet ta kornizojë në kohë dhe në tema. Temat për të cilat do të mund të bisedohet do të duhet të jenë në nivel e kuptim shtetesh, të cilat duhet ta bëjnë njohjen reciproke. Të pagjeturit, pensionet, dëmet e kërkim falje nga Serbia për çka ka shkaktuar duhet të jenë në tavolinë. Heqja dorë e Serbisë nga ndikimi mbi serbët e Kosovës poashtu”, ka thënë ish-shefi i grupit parlamentar të AAK-së.

Lekaj tutje ka thënë se të gjitha këto tema duhet të bëhen një për politikanët e Kosovës, duke shtuar se përfaqësuesi i Kosovës në këtë dialog përcakohet nga spektri politik në vend.
“Temat e tilla tutje duhet të gjitha të bëhen një për spektrin politik në vendin tonë e të cilat nuk duhet të lejohen që të kalojnë keq në fazën e ardhshme të dialogut të cilin do ta udhëheq ai përfaqësues shtetëror për të cilin do të dakordohet Kosova, spektri politik i saj”, ka përfunduar Lekaj për lajmi.net

Ndryshe, të hënën do të zhvillohet një takim në Bruksel ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Temat
LajmeVend

Të afërta