Në kuadër të takimeve elektorale, kryebashkiaku Erion Veliaj i shoqëruar dhe nga kryeministri Edi Rama dhe kandidatët për deputetë të PS për Tiranën, zhvilluan një takim me të rinjtë e FRESSH-it.
Veliaj deklaroi se Partia Socialiste ka treguar një kujdes të veçantë për të rinjtë, ndërsa i ftoi ata që të aplikojnë për të kryer praktikën e paguar nga bashkia pranë bizneseve private për 6 muaj.
“Ne tashmë me PS në Bashkinë e Tiranës i kemi filluar stazhet me pagesë për të punuar në një bankë, në një kompani kompjuterike, në një qendër tregtare, në një menaxhim biznesi për 6 muaj për dikë që i duhet për cv, që të ketë mundësi nesër që kur të interesohet për një punë afatgjatë të thotë, po unë kam eksperiencë, kam bërë kaq muaj, 1 vit pune të paguar si stazh nga PS e Shqipërisë”, tha Veliaj.
Duke komentuar propozimet e kreut të demokratëve për çerdhet dhe kopshtet, Veliaj theksoi se Lulzim Basha si kryetari i Bashkisë së Tiranës tregoi se nuk di ta bëjë atë punë duke i lënë ato në një gjendje skandaloze.
Kryebashkiaku Erion Veliaj shprehu bindjen se më 25 qershor, Tirana do t’i besojë Edi Rama një mandat të dytë qeverisës për të garantuar se çdo ditë do të realizohet një punë. “Nëse nuk bën dot punën e Lali Erit, nuk e bën dot punën e Edi Ramës. Dhe Tirana e ka ndarë mendjen, do jetë me PS, me Edi Ramën për 71 mandate që na japin forcë absolute për ndryshim, për punë çdo ditë”, tha Veliaj.

