PS dhe LSI kanë patur një debat në distancë këtë të dielë, teksa Kryeministri Edi Rama ka deklaruar nga Vora se 3 mijë familjeve u janë bllokuar hipotekat për shkak të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i LSI-së, e cila përmes nënrkyetarit Luan Rama, ka hedhur poshtë akuzat e kryeministrit, duke i kujtuar se shumicën dërrmuese të hipotekave, në fakt i kontrollon PS dhe jo siç përpiqet të propagandojë Rama.
Disa orë më vonë, debatit në distancë mes PS-së dhe LSI-së i është “bashkëangjitur” dhe një deklaratë e Ministrisë së Drejtësisë, e drejtuar nga Gazmend Bardhi i PD-së.
Bardhi ka njoftuar se ka nisur një hetim administrativ për hipotekën në fjalë. Ministria e Drejtësisë ka kërkuar nga partitë politike që të denoncojë rastet abuzive për të cilat ato kanë dijeni dhe që përdoren për qëllime elektorale.
“Ministri i Drejtësisë mori kontakt të mënjehershëm me strukturat përgjegjëse në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajshme Tiranë mbi këtë çështje. Pavarësisht informacioneve pararake, Ministri i Drejtësisë, për të bërë transparencë të plotë mbi këtë çështje, ka urdhëruar kryerjen e një hetimi të plotë administrativ mbi këtë problematikë.
Ministria e Drejtësisë siguron të gjithë banorët e Bashkisë Vorë, se nëse konstatohet shkelje nga punonjësit e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajshme, do të marren masa të menjëhershme disiplinore për secilin prej tyre. Gjithashtu, Ministria e Drejtësisë siguron qytetarët që kërkesat e tyre për pajisje me certifikatë pronësie do të trajtohen në përputhje me ligjin, brenda afateve të caktuar nga ligji.
Ministri Bardhi i bën thirrje çdo subjekti politik të ndal përdorimin e cështjeve që përfshihen brenda fushës së veprimtarisë së Ministrisë së Drejtësisë, për qëllime politike apo elektorale. Çdo subjekt politik që ka informacion për pengime artificiale që i bëhen qytetarëve për qëllime politike apo shkaqe të paligjshme, të informojë menjëherë Ministrinë e Drejtësisë, duke garantuar veprimin tonë të menjëhershëm për respektimin e ligjit.”-shkruhet në njoftim./Gazeta Express