Kandidatja e LSI-së për deputete, Kejdi Mehmetaj, shprehet e sigurt se të rinjtë do të votojnë LSI-në më 25 qershor.
E ftuar në emisionin “Koha për t’u zgjuar” në “News 24”, Mehmetaj e cilëson fushatën si një fushatë batutash, si nga Kryeministri Rama, ashtu edhe nga kreu i PD-së, Basha
Ndërkohë që keni qenë protagoniste e një konflikti, ju dhe ish-ministrja e Arsimit Lindita Nikolla keni shkëmbyer edhe replika me njëra-tjetrën gjatë kësaj fushate për reformën në arsim. Cilat janë pozicionet tuaja për këtë reformë?
LSI prej katër vitesh tashmë mban dhe ka mbajtur qëndrime të forta sa i takon pjesës së arsimit në Shqipëri. Që nga buxheti, buxhetimi që ka marrë, ku përpara zgjedhjeve në 2013-n u premtua si nga ne, ashtu dhe nga PS-ja, në një koalicion të përbashkët, që do të shkonte deri në 5% dhe në katër vitet e kaluara ka pasur vetëm ulje.
Për të shkuar te mënyra se si zhvillohet matura shtetërore, pranimet në universitete, reforma e arsimit të lartë apo edhe sektorë të tjerë të fushës së arsimit, sepse ne e shohim arsimin si prioritet ose çelësin e suksesit për të zhvilluar një Shqipëri, e cila do të jetë e qëndrueshme në të ardhmen. Sepse rrit prindërit e së ardhmes, profesionistët, inxhinierët, doktorët, mësuesit e kështu me radhë. Ajo që ne kemi parë është që në këto katër vite jo vetëm që nuk është punuar me dashuri për arsimin por, përkundrazi, arsimit mund t’i jetë rënë në qafë më shumë se gjithë gjërat e tjera.
Disa herë ne kemi qenë në zyrën e ministres me disa kolegë, në prani të profesorëve të nderuar, për të diskutuar se sa dëm po bëhej mbi arsimin dhe kemi marrë nga ministrja drejtpërsëdrejti fjalë të natyrës: “Po do ta korrigjojmë, sepse është bërë një gabim. Po është e drejtë dhe do ta shohim se si do e rikorrigjojmë”. Ndërsa mbasi dilnim nga zyra, kishte një deklaratë publike a thua se ky diskutim nuk ishte bërë fare.
Unë, në fakt, nuk nisa një diskutim me ministren drejtpërsëdrejti. Bëra një vërejtje që udhëzimi i fundit i firmosur prej saj ishte për t’u zhvilluar pranimet në universitete njësoj si vitin e kaluar. Pra, me të njëjtat peripeci, me dhjetë preferenca, me studentë që shkojnë në universitete private, që nuk u del e drejta e studimit, që trajtohen thjesht si statistika dhe jo si një ëndërr për Shqipërinë.
Kaq thashë unë dhe ministrja u indinjua shumë duke më treguar edhe ku isha dhe duke m’u drejtuar edhe me një ton, të cilin unë nuk e kuptova, sepse unë kam katër vite që jam pjesë e Parlamentit. Dhe përveç se pjesë e Parlamentit, unë mund të renditem nga ata deputetë që më shumë diskutime kanë pasur për arsimin, më kritike edhe se opozita. Kam pasur disa interpelanca dhe seanca pyetjesh të zhvilluara me ministren.