Site icon first-channel tv, Prishtinë, Kosova

Meta nxit reagimin e Haki Çakos

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako ka reaguar pas sulmeve të ardhura nga Lëvizja Socialiste për Integrim në adresë të uniformave blu, përfshirjes së tyre në fushatë, dhe lidhjes me botën e krimit.

Në një deklaratë për mediat nga Policia e Shtetit, shprehet “keqardhje për sulmin e sotëm mbi Policinë e Shtetit nga ana e një lideri politik, lidhur me incidentin e ndodhur në Lezhë”, duke ju referuar këtu presidentit të zgjedhur Ilir Meta. Ish-kreu i LSI-së akuzoi policinë për mosveprim sa i përket dhunimit të një aktivisti të LSI-së në mbrëmje në Lezhë, i cili është kryeplaku i fshatit Rraboshtë.

“Policia e Shtetit përsërit se ka kryer të gjitha veprimet hetimore dhe nuk ka asnjë provë për prapavijën politike të incidentit. Pretendimet e personit të goditur po vazhdojnë të hetohen. Por mbetet fakti që në deponimin e tij ai ka folur për persona të panjohur dhe nuk ka raportuar asgjë konkrete që te ngrihet dyshimi i arsyeshëm se incidenti është i motivuar politikisht. Policia e Shtetit do të vazhdojë të kryeje me përgjegjshmërinë më të lartë profesionale detyrën e saj kushtetuese e ligjore dhe u bën thirrje të gjitha subjekteve e liderëve politikë të shmangin çdo përfshirje direkte ose indirekte të Policisë së Shtetit në retorikën e tyre elektorale”, thuhet në reagimin e Policisë.

Gjovalin Gjoni, kryeplaku 38-vjeçar nga dëshmia e dhënë në polici ka thënë se nuk i njeh personat që e qëlluan me shkop bejsbolli, por është shprehur se ishin katër persona të armatosur dhe të maskuar. Për LSI-në ky akt i rëndë ishte një sulm me prapavijë politike, por policia deri më tani e ka referuar ngjarjen për vepra të tjera penale, të plagosjes dhe shkatërrimit të pronës, pasi autorët i dëmtuan edhe makinën.

Exit mobile version