Rrëfimi i një infermiere teksa thoshte se nuk i jepej leje as për tu martuar, ka sjellë reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë, e cila tashmë drejtohet nga Arben Beqiraj, ministër teknik i vendosur pas amrrëveshjes politike të arritur mes Ramës dhe Bashës.
“Martohem këtë javë. Më takon 5 ditë leje, po drejtoresha nuk e firmos se thotë ka dhënë urdhër ministri”, tregoi infermierja Lumturie Hasa ditën e djeshme për Top Channel.
“Kushdo që ka kërkuar leje pranë Ministrisë së Shëndetësisë për arsye të veçanta që nuk kanë lidhje me fushatën elektorale nuk i është mohuar nga ana jonë”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Sipas një urdhri të 1 qershorit 2017, administrata duhet të shtyjë pushimet verore pas datës 30 qershor, e brenda këtij harku kohor janë pezulluar të gjitha lejet.
Reagimi
Ministria e Shëndetësisë ka ndjekur shqetësimin e ngritur nga televizioni Top Channel lidhur me zbatimin e Urdhrit Nr. 277 datë 01.06.2017 “Për pezullimin e lejeve vjetore të funksionarëve, nënpunësve dhe punonjësve të Ministrisë së Shëndetësisë si dhe të institucioneve të vartësisë për periudhën 01.06.2017- 25.06.2017”.
Sipas kronikës së transmetuar në këtë televizion ditën e djeshme, Lumturie Hasa, infermiere në Qendrën Shëndetësore Nr. 3 në Tiranë, pretendohet se nuk ka marrë lejen e kërkuar, pasi e ndalon Urdhri i Ministrit, Nr. 277, datë 01.06.2017.
Referuar këtij rasti Ministria e Shëndetësisë sqaron, si më poshtë:
Pushimet vjetore si dhe periudha e pushimeve vjetore janë të parashikuara në Kodin e Punës dhe specifikohen në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 511, datë 24/ 10/ 2002 “Për kohëzgjatjen e punës dhe të pushimit në institucionet shtetërore”.
Urdhri Nr. 277 datë 01.06.2017 që pezullon LEJET VJETORE për periudhën 01.06.2017 -25 .06.2017, i nxjerrë në zbatim të këtyre akteve ligjore dhe nënligjore i referohet vetëm pushimeve vjetore të paplanifikuara dhe në asnjë rast nuk citon kufizime apo ndalime për pushimet e tjera të paguara, të planifikuara për punonjësit, siç është dhe rasti në fjalë i infermieres.
Kështu që, kushdo që ka kërkuar leje pranë Ministrisë së Shëndetësisë për arsye të veçanta që nuk kanë lidhje me fushatën elektorale nuk i është mohuar nga ana jonë.