Presidenti Bujar Nishani shumë pranë fundit të mandatit të tij, ka dekoruar disa emra të artit shqiptar.
Ndër to ishin këngëtaret Eli Fara, Aurela Gaçe, Rozana Radi, Juljan Deda. Por me sa duket Nishani ka harruar një nga emrat e vjetër të skenës së humorit shqiptar, aktorin Bujar Mera. Kjo vjen si një thirrje në kujtesë nga aktori Agron Llakaj, i cili i ka kërkuar presidentit të korrigjohet.
“I nderuar zoti President i Republikës! Shkëlqesi Bujar Nishani! Lexova me kënaqësi vlerësimin tuaj në largim për shumë emra të mëdhenj të skenës, ekranit por jo vetëm. Tituj që shprehin vlerësimin për punën e çdokujt, kontributin dhe investimin njerëzor dhe profesional në shërbim të publikut, për ta bërë këtë jetë të zymtë me më shumë besim, se gjërat e bukura në jetë nuk ndodhen vetëm në art. Art i cili udhëheq shoqërinë, emancipon, edukon dhe argëton. Zoti President, ndoshta nuk është detyra juaj, por në respekt të shumë e shumë emrave të vlerësuar nga ju, më lejoni t’iu tërheq vëmendjen për një emër shumë të njohur në vite e vite në Shqipëri dhe kudo ku punojnë shqiptarë, anë e mbanë botës. Ai është humoristi Behar Mera…me dhjetëra vite në skenë, qindra personazhe dhe karaktere që sot i keni dhe i gjeni rëndom në Youtube me shumë e shumë klikime. Një personalitet i padiskutueshëm i humorit, një partner po kaq dinjitoz… nuk ka njeri të mos ketë marrë buzëqeshjen dhe të qeshurën nga loja e Behar Merës.
Prej 5 vitesh në “Al Pazar shoë” ka prodhuar dhe punuar sa për 100 vite së bashku të një trupë profesioniste estrade.Zoti President, si artist i humorit, por edhe si partner dhe mik i Behar Merës, ju sjell thjesht në vëmendje se vlerësimi për Beharin është vlerësim edhe për ju.
Natyrisht, ai është një “Mjeshtër i Madh” se e ka fituar me lojën dhe interpretimet e tij, ka dashurinë e publikut që është rritur dhe e ka rritur gjatë gjithë karrierës së tij. Zoti President, duke ju uruar punë të mbarë, por edhe rrugë të mbarë, mbetem në pritje të korrigjimit të kësaj “harrese”. Me respekt dhe konsideratë të lartë, Agron Llakaj”.