Ish lideri i VV’së Albin Kurti ka akuzuar liderët kosovarë për reagimet e siç tha ai të buta të tyre ndaj zhvillimeve që ndodhën të enjten mbrëma ndaj shqiptarëve në Maqedoni. Ai tha se fajtori duhet të emërohet me emër dhe mbiemër pasi deklaratat e tilla i ndihmojnë Gruevskit.
“Mbrëmë ka ndodhur një grusht shtet në Shkup. Se di se si do të rrjedhin zhvillimet në vazhdim varet nga reagimet tona. Mustafa nuk reagoi fare e më mira të mos kishin reaguar as Thaçi e Veseli sepse reagimet e buta nuk i ndihmojnë shqiptarëve”, u shpreh Kurti në konferencën për media.
Ai tha se Ivanovi dhe Gruevski e kanë kap pushtetin dhe e kanë rritur shovenizmin ndaj shqiptarëve. “Policia mbrëmë ka vepruar shumë ngadalë dhe me vonesë. Mbëmë u pa që shqiptari nuk lejohet të udhëheq. Çfarë ndodhi mbrëmë është paralajmëruar nga presidenti Ivanov gati dy muaj më parë”, tha Kurti ndër tjerash.
Edhe deputeti Glauk Konjufca tha së është tashmë e qartë që shtetit i Maqedonisë gjithherë ka funksionuar si një lloj shtypësi i kombit shqiptarë.
“Shteti i Maqedonisë ka qenë një diskriminues i madh i shqiptarëve atje. Politikat e VMROS kanë qenë qartë kundër popullit tonë atje dhe me një diskriminim të vazhdueshëm ky pushtet faktikisht e ka ndaluar plotësisht gjuhën shqipe në aspektin institucional dhe në aspektin e shkollimit”, tha Konjufca.
Gruevski sipas tij e ka ndërtuar një rrjet shumë të madh kriminal. Ajo që u pa dje sipas Konjufcës nuk ishte hyrje e popullit por ishte hyrje e bandave të Gruevsit në Parlament.
VV tha se e dënon dhunën e Gruevskit dhe qëndron krah për krah me popullin tonë atje.