Mbledhja e kësaj të marte ishte e fundit për Komisionin Parlamentar të Sigurisë, për këtë legjislaturë të Kuvendit të Shqipërisë. Kreu i këtij komisioni, deputeti i LSI-së Spartak Braho shprehu keqardhjen për mungesën e opozitës, e cila prej 18 shkurtit kur hyri në protestë, bojkotoi veprimtarinë parlamentare.
“Na vjen keq që s’kemi kolegët e djathtë, ky Komision ka qenë punë e jo fjalë”, – u shpreh Braho.
Ai ka rvidentuar edhe problemet e hasura në këtë legjislaturë të Komisionit të Sigurisë.
“Defekt ka qenë kontrolli parlamentar dhe që në 4 vjet nuk e bëmë ligj. Mungon një ligj kontrollues për të monitoruar SHISH, Prokurorinë e Përgjithshme dhe Ministrinë e Brendshme”.
“Në katër vite nuk bëmë dot asnjë kontroll parlamentar. Nuk ishte vullnet i qeverise, apo ndikoi mungesa e një ligji kontrollues, për të monitoruar SHISH, Prokurorinë dhe Ministrinë e Brendshme? Këto organe janë të pa investiguara në rrugë parlamentare”, tha Braho përpara se të mbyllte mbledhjen e Komisionit.
Vendimi i fundit i komisionit ishte ai për të shtyrë amnistinë për armët pa leje, në rast të dorëzimit vullnetar të tyre, deri më 30 dhjetor 2017, nga 30 prill që ishte afati paraprak.

