Presidenti Hashim Thaçi, ka përsëritur edhe një herë idenë e padis ndaj Serbisë për gjenocidin e kryer në Kosovë, duke shtuar se shteti i Kosovës nuk do t’i harrojë kurrë krimet serbe. Ai këtë e ka thënë sot në përkujtimin e masakrës së Poklekut të Drenicës, ku u vranë e masakruan 54 njerëz.
“Para 18 vjetësh, pas masakrave të njëpasnjëshme dhe përpjekjeve për spastrim etnik anekënd Kosovës, në Poklek të Drenicës forcat serbe vranë dhe masakruan mbi 54 anëtarë të familjes Muqolli dhe Elshani, shumica prej tyre gra, pleq dhe fëmijë. Në të njëjtën ditë, ato vranë edhe 24 shqiptarë në fshatin Çikatovë e Vjetër. Edhe sot bashkëndjejmë me dhimbjen e këtyre familjeve. Populli dhe shteti i Kosovës asnjëherë nuk do t’i harrojë këto krime dhe shumë shpejt do ta padis Serbinë për gjenocid në Kosovë”, ka shkruar Thaçi në facebook.
Ndryshe, para 18 vitesh, forcat serbe kishin vrarë e masakruar 54 anëtarë të familjes Muqolli dhe Elshani nga Pokleku i Drenicës.
Po ashtu, në po të njëjtën ditë, në Çikatovë të Vjetër serbët kishin vrarë edhe 24 shqiptarë të tjerë.