Lajme

Daçiqi akuzon UÇK-në për “gjenocid” ndaj serbëve

By first-channel.tv

April 05, 2017

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po vazhdon me provokime.

Sipas tij, pasi “ideja e Thaçit për krijimin e ushtrisë së Kosovës përjetoi debakël, ai po përpiqet që të tërheqë vëmendjen e publikut vendas për një temë tjetër – padinë kundër Serbisë për gjenocid”.

Në një deklaratë me shkrim për mediat, Daçiqi thotë se ai është “veçanërisht i vetëdijshëm se Serbia nuk ka kryer gjenocid në Kosovë, por UÇK-ja ka kryer gjenocid ndaj popullit serb”, raporton Tanjug.

Kjo dëshmohet nga të dhënat “se sa serbë janë më pak në Kosovë dhe Metohi e sa ishin në vitin 1999”.

“Në fund të fundit, prokuroria madje edhe gjykata e Hagës nuk ka akuzuar asnjëherë Serbinë për gjenocid, por ka formuar gjykatën speciale për krime të UÇK-së”, ka thënë Daçiqi, duke shtuar se: “kështu që do shkojnë ‘kriminelët’ e UÇK-së në gjykatë, e jo Serbia”.

Daçiqi po ashtu ka thënë se “Thaçi e di se ai nuk ka asgjë prej kësaj, sepse e ashtuquajtura Kosovë nuk është anëtare e OKB-së dhe nuk ka të drejtë të padisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë”.

Ai vuri në dukje se ligji për formimin e ushtrisë së Kosovës “është tërhequr nën presionin e komunitetit ndërkombëtar”.