Lajme

A po zbutet Serbia për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO?

By first-channel.tv

March 14, 2017

Deklaratat e fundit të zyrtarëve serbë kanë një ton më të zbutur sa i përket kërkesës së Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombetare, përfshirë UNESCO-n. Zëvëndëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm në Qeverinë e Serbisë, Ivica Daçiq, ka dhënë shenja të zbutjes së qëndrimit të Serbisë në kërkesat e Kosovës për anëtarsim në organizata ndërkombetëre, raporton Gazeta Express. Daçiqi ka thënë se “Beogradi dëshiron marrëveshje dhe një zgjidhje të qëndrueshme për çështjen e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës” por se “kundërshton veprimet e njëanshme”.

Në lidhje me kërkesën e Kosovës për anëtarësi në UNESCO, Daçiqi ka përkujtuar se “me kalimin e kohës po harrohen kushtet e një marrëveshjeje mbi përfaqësimin rajonal të Kosovës, duke përfshirë edhe fusnotën e cila i referohet Rezolutës 1244”.

Më tej ai ka thënë se Beogradi nuk e kundërshton praninë e Kosovës në organizata ndërkombëtare por, ka thënë ai, “vetëm nëse ajo është e përcaktuar qartë se ajo mund të jetë vetëm asimetrike, sepse për ne çështja e statusit të Kosovës nuk është zgjidhur”.

Nga kjo mund të konkludohet se Beogradi po bëhet gjithnjë e më i vetëdijshëm se po i mbarojnë argumentet dhe mekanizmat për pengimin e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, përfshi UNESCO-n. Sidomos për faktin se nga përpjekja e fundit për anëtarësim të Kosovës në UNESCO, në vitin 2015, Kosovën ndërkohë e kanë njohur edhe tri shtete të reja dhe pikërisht kaq ishin votat që i munguan Kosovës për anëtarsim në këtë organizatë të Kombeve të Bashkuara.

Përpjekjet e Serbisë tash po duken në synimin e saj që kjo çështje të bëhet pjesë e dialogut në Bruksel dhe se anëtarsimi i Kosovës në organizata ndërkombetarë të bëhet njëjtë si edhe në organizatat rajonale, pra me fusnotë. Deri tani zyrtarët e lartë të Serbisë kanë qenë kategorikë se Kosova nuk mund të anëtarësohet fare në UNESCO.