Lajme

Dordolecët në flakë

By first-channel.tv

March 12, 2017

Sot u njoftua largimi i katër ministrave rilindës: Tahiri, Beqja, Çuçi dhe Klosi. Kryerilindësi do të molloisë në ora 17.00 arsyet e largimit – një amalgame arsyesh ku asnjëra nuk mjafton, të gjitha qëndrojnë njëkohësisht – të paketuara në shërbim të të vetmit që ka tmerr të largohet.

Mund të thotë se e bën në shërbim të organizimit të partisë për zgjedhje. Mund të thotë se e bën në shërbim të gjallërimit të qeverisë. Mund të thotë se e bën që të shmangë konfliktin e interesit dhe punën e dyfishe – asnjëra nuk mund të bëhet siç duhet – edhe ministër edhe drejtues fushate në qark. Mund të thote ç’të doje. Asgjë s’vlen. Arsyet janë krejt të tjera.

Rilindja ka nevojë akute për kamuflazh. Syri.net e trajtoi dje këtë çështje. Tahiri dhe Beqja janë fytyrat më të urryera të ministrave të saj. Në protestën e 18 shkurtit turma dogji tre dordolecët Rama, Tahiri, Beqa, si simbole popullore të përbuzjes, neverisë, urrejtjes. Jo se të tjerët janë më të mirë por këta janë kampionët.

Rilindja ka nevojë për makiazh. Edhe këtë temë Syri.net e trajtoi dje. Makiazhi është ana tjetër e kamuflazhit. Në postet përkatëse duhen fytyra të reja, të pakonsumuara, me gjasa më pak rilindëse e më shumë socialiste apo thjeshtë më pak rilindëse në dukje për shkak të mungesës së indentitetit. Veçanërisht më pak të atakueshme për shkak të mospërfshirjes në bëmat qeveritare rilindëse të këtyre 3 vite e gjysëm.

Me kamuflazh e makiazh Kryerilindësi shpreson t’i hedhë hi syve popullit, atij në protestë në veçanti, t’i zbusë urrejtjen. T’u heqë nga sytë e më pas nga mendja ministrat e urryer që do vijojnë si partiakë të lëvizin fijet e dukshme e të padukshme të krimit e korrupsionit në shërbim të blerjes së votave dhe Kryerilindësi të thotë se s’ka gisht qeveria në këtë manipulim.

Me kamuflazh e makiazh Rilindja shpreson t’i hedhë hi syve socialistëve dhe votuesve tradicionalë të majtë që, si shumica e shqiptarëve, po aq janë braktisur, poshtëruar, nëpërkëmbur e po aq e përbuzin, e neverisin, e urrejnë Rilindjen.

Me kamuflazh e makiazh Rilindja shpreson t’i hedhë hi syve aleatëve, LSI në veçanti, ta bëjë të besojë se po sakrifikon të vetët për hir te garantimit të aleancës.

Me kamuflazh e makiazh Rilindja shpreson t’i hedhe hi syve ndërkombëtarëve.

Shpresa të kota. Dy dordolecë nga tre u dogjën dje me dorën e te tretit. Ju erdhi fundi pas përpjekjeve të pareshtura disa-vjeçare opozitare, shoqërore, mediatike. Çadra e Lirisë ka meritën kryesore në këtë arritje. Faktorët e Çadrës ishin të parët që nisën betejën e dordolecizimit të Rilindjes që tri vite më parë. Faktorët e tjerë, brenda qeveritare apo ndërkombëtare kanë meritë gjithashtu. Erdhi dita që edhe këta te ftillohen.

Rrekjet për ta nevleftësuar Çadrën në këtë arritje janë ose harresë e fakteve ose nënvleftësim i fuqisë së Çadrës ose merak se mos Çadra bie në vetëkënaqësi.

Çadra i dogji dy dordolecë me dorën e të tretit. Çadra do të qëndrojë derisa ose “ta djegë vetë të tretin të vërtetin” ose “ai të vetëvritet si akrepi rrethuar nga zjarri”.