Site icon first-channel tv, Prishtinë, Kosova

Çili “dhëmbë për dhëmbë” me Fugën: More 500 mijë euro! Mos fol kot se do të padis!

Botuesi i gazetës Mapo, dhe administratori i Universitetit Europian të Tiranës, Herni Çili i është përgjigjur “dhëmbë për dhëmbë” akademikut Artan Fuga lidhur me reformën në Arsimin e Lartë por edhe akuza personale mes tyre.
Çili nuk ka ngurrar në përgjigjen e tij që të “nxjerrë zbuluar” Fugën duke i thënë për Arsimin e Lartë, se vetëm nga mësimdhënia në UET apo konsulenca akademike, ai ka përfituar më shumë se 110 mijë euro pagë.

“Nëqoftëse qëndron vetëm 4 ose 5 muaj në Shqipëri në punën që paguhesh me paratë publike, në qoftë se ti ke marrë 400-500 mijë Euro nga sektori privat, përse të mos u ofrosh të tjerëve supën e ftohtë dhe të shpifur të universitetit shtetëror?”, shkruan Çili.

Duke vijuar më tej, botuesi i MAPO-s thotë se pretendimi i Fugës se UET ishte në shërbim të Lulzim Bashës në Iniciativën për Tiranën në vitin 2011, është një gënjeshtër e madhe.

“Ajo nismë, për të cilën jam krenar se prodhoi politikanin Lulzim Basha, nuk ishte e UET, vetëm 3 nga 31 pjesëtarët e asaj liste njerëzish të respektuar në qytet, të majtë e të djathtë, ishin atëherë pedagogë të brendshëm në UET. Ne ftuam pa hile të dy kandidatët në debat për qytetin dhe askush nuk pati ndonjë presion për të marrë pjesë. As ti”, shkruan Henri Çili.

Në fund të shkrimit të tij Çili parlajmëron Fugën me padi nëse do të vazhdojë me akuza e shpifje.

“Por meqë kam nisur të merrem me ju, kjo është e fundit gënjeshtër dhe insinuatë që ua fal. Pas kësaj, do të jetë zyra juridike që do të merret me deklaratat tuaja ose të kujtdo tjetër nëse ato do të përbëjnë “shpifje, fyerje, dëmtim të reputacionit”. Paratë e dëmshpërblimit që do të fitoj nga këto padi do t’i çoj në favor të veprimtarive të mia jofitimprurëse, në kuadrin e Institutit Europian PASHKO për të promovuar frymën liberale në këtë vend”, e përfundon shkrimin Henri Çili.

Exit mobile version