Lajme

Qeveria miraton raportin për matjen e territorit, Mustafa shpreson edhe në votat e opozitës

By first-channel.tv

March 04, 2017

Qeveria e Kosovës ka miratuar raportin e Komisionit për Matjen e Territorit. Kryeministri Mustafa shpreson se edhe opozita do ta votojë në Kuvend

Me asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim është miratuar në Qeveri raporti i Komisionit për Matjen e Territorit, duke ia hapur rrugën për ta riproceduar në Kuvend për miratim. Anëtarët e kabinetit qeveritar me këtë rast kanë bërë thirrje për konsensus nacional brenda spektrit politik, duke ftuar kështu edhe opozitën që ta miratojë Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pas miratimit të raportit nga anëtarët e kabinetit qeveritar ka deklaruar se Kosova nuk humb territor. Mustafa pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë, ku është bërë shqyrtimi i raportit të Komisionit për Matjen e Territorit, tha se ndjehet i lumtur se vlerësimet e Departamentit të SHBA-së dhe të atyre ndërkombëtare përputhen në mënyrë të plotë me raportin e Komisionit.

“Ne kemi përkushtim të madh dhe argumente të pakontestueshme se Kosova nuk humb territor”, tha Mustafa, duke shtuar se tani i hapet rrugë ratifikimit. Mustafa tha se ky raport do të japë rezultate pozitive në unifikimin e spektrit politik. “Këtë material do ta publikojmë, do t’ia dërgojmë presidentit dhe deputetëve që të informohen. Jam i bindur se ky raport do të japë rezultate në unifikimin e spektrit politik dhe ftoj për unifikim spektrin politik . Po ashtu besoj që ky raport do t’i hapë rrugë edhe proceseve integruese”, tha ai.