Botë

Si reaguan liderët partiakë të Maqedonisë pas takimit me Mogerinin?

By first-channel.tv

March 02, 2017

Sot përfaqësuesja e Bashkimit Evropian për diplomaci realizoi takime me krerët politik të Maqedonisë. Vizitë kjo një ditë pas vendimit të Presidentit Ivanov që nuk e shpalli mandatar të qeverisë liderin e opozitës Zoran Zaev. Pasditën e sotme kryediplomatja e BE-së realizoi takime me të gjithë udhëheqesit e partive të përfaqesuara në parlament, transmeton Gazeta Express.

Nga VMRO-DPMNE pas takimit:u theksua edhe fakti i shkeljes së parimit të koalicionimit “fituesi me fituesin”, pas zgjedhjeve. Duke folur për zgjidhjet e mundshme VMRO-DPMNE ka përsëritur se organizimi i zgjedhjeve të parakohshme është mënyra më e mirë për stabilitetin dhe tejkalimin e krizës politike.

Pas takimi me përfaqësuesit e LSDM-së, lideri i tyre Zaev tha: “Kemi biseduar për takimet e ardhshme të hënën me Këshillin e ministrave dhe me Këshillin Gjeneral, para se gjithash Maqedonia pritet t’i respektojë proceset demokratike, të cilat janë të deklaruara qartë në zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar. 67 mandatet janë kusht normal demokratik për dhënien e mandatit për përpjekje të formimit të Qeverisë. Pritjet e BE-së janë se Qeveria e ardhshme, nëse tregon rezultat në përkushtim për reforma BE do të ketë arsye më shumë që ta shpejtojë procesin për bisedimet e anëtarësimit në BE”.

Takime u realizuan edhe me bllokun politik shqiptar, ku te gjithë ishin nënshkrues të kërkesës së Zaevit për mandatar përveç PDSH-së së Menduh Thaçit.

Lideri i BDI-së Ahmeti pas takimit u shpreh: “Kriza institucionale dhe sistemore nuk guxon të kthehet në krizë ndëretnike dhe ne do të mbetemi të përkushtuar për të arritur zgjidhje politike. Sundimi i së drejtës, shteti ligjor, institucione të besueshme, përmbyllja e Marrëveshjes së Ohrit, marrëdhëniet e mira ndëretnike dhe ndërfqinjësore si dhe integrimi në NATO dhe BE janë prioritete tona.

Zonja Mogerini shprehu vlerësim për rolin dhe qasjen tonë konstruktive në këtë krizë të rëndë duke theksuar që Bashkimi Evropian është pranë nesh në përpjekjet për ta zgjidhur krizën, ndërsa theksoi nevojën për të vijuar dialogun tone”.

Kasami nga Lëvizja Besa ndër tjerash tha: Vizita e Mogerinit tregon se Maqedonia nuk është e vetmuar, në këtë krizë të thellë të cilët na futën partitë politike prej qeverisjes VMRO-BDI, për periudhën 8 vjeçare të mbështetur mbi krimin, korrupsionin, kapjen e institucioneve etj. Ne vlerësojmë lartë përkrahjen e BE-së dhe besojmë se Maqedonia nuk është e vetme në këtë proces.

Lideri i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela poashtu shprehi opinionin e tij pas takimit duke potencuar se: “Aleanca për Shqiptarët vahzdon t’i qëndrojë deklaratës së përbashkët të partive politike shqiptare, të nënshkruara këtu. Nuk ia japim të drejtën vetes si politikanë që të jemi kujdestar, të cilët i mbajnë peng të drejtat e një popullate të tërë, ne jemi përfaqësues të të drejtave të shqiptarëve, ndërkaq ato të drejta që janë të shkruara në Deklaratën Shqiptare, për ato kanë nevojë shqiptare.

Të drejtë aspak nuk e ka ai që i thotë vetes president i shtetit, që me aktin e tij tregoi se është marinetë e kryetarit të VMRO-DPMNE-së ”.

Ndërsa Thaçi nga Partia Demokratike Shqiptare shtoi se kjo situatë nuk duhet të rrëshqet në konflikt ndëretnik dhe se gjatë takimit me Mogerinin, qëndrimi i tyre ka qenë se veprimi skandaloz i Ivanovit vetëm se i vërtetoi tezat politike të Partisë Demokratike Shqiptare, platformës dhe programit të kësaj paritë”.