Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka mbajtur sot takim pune me kryeprokurorët e prokurorive Themelore, Prokurorisë Speciale dhe Prokurorisë së Apelit.
Edhe në këtë takim kryeprokurori Lumezi kërkoi nga udhëheqësit e prokurorive, që të kenë bashkëpunim të mirëfilltë mes vete, me qëllim të unifikimit të praktikave nëpër prokurori dhe ngritjes së efikasitetit të punës së Prokurorit të Shtetit, si dhe të bashkëpunojnë ngushtë me institucionet tjera të zbatimit të ligjit.
Ndër të tjera gjatë këtij takimi kryeprokurori Lumezi sërish kërkoi nga të gjithë kryeprokurorët e prokurorive Themelore dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, që të rishikojnë lëndët e vrasjeve të personave publik dhe të ndërmarrin veprime të nevojshme për zbardhjen e këtyre rasteve, edhe pse shumica nga këto raste janë trajtuar në kohën e kryerjes së veprave penale dhe nuk është arritur të zbulohet identiteti i kryesve të këtyre veprave penale.
Gjatë këtij takimi sipas kërkesës së kryeprokurorit Lumezi të gjithë kryeprokurorët e prokurorive të vendit, raportuan për muajin janar të këtij viti për punën e prokurorive që i drejtojnë, si dhe për punën e secilit prokuror të asaj prokurorie.
Në këto raporte të paraqitura nga kryeprokurorët e të gjitha prokurorive, ishin të përfshira të dhënat për numrin e lëndëve në punë, numri e lëndëve të pranuara, të kryera dhe të mbetura, si dhe statistikat për punën e secilit prokuror.
Nga paraqitja e këtyre raporteve u pa se gjatë muajit janar 2017 ka pasur rezultate të mira të punës dhe rritje të efikasitetit të punës në të gjitha prokuroritë themelore, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, si dhe në Prokurorinë e Apelit.
Vetëm gjatë muajit janar në Prokurorinë e Apelit 447 lëndët e pranuara në punë kanë përfunduar.
Ndërkaq, shtatë prokuroritë themelore gjatë muajit janar 2017 kanë pranuar në punë 1838 lëndë dhe kanë përfunduar 2824 lëndë, që do të thotë se prokurorët kanë përfunduar 986 lëndë më shumë sesa kanë pranuar në punë.
· Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar në punë 755 lëndë dhe ka përfunduar 1214;
· Prokuroria Themelore në Ferizaj ka pranuar në punë 188 lëndë dhe ka përfunduar 440;
· Prokuroria Themelore në Gjilan ka pranuar në punë 226 lëndë dhe ka përfunduar 194;
· Prokuroria Themelore në Gjakovë ka pranuar në punë 143 lëndë dhe ka përfunduar 189;
· Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka pranuar në punë 46 lëndë dhe ka përfunduar 161;
· Prokuroria Themelore në Pejë ka pranuar në punë 187 lëndë dhe ka përfunduar 240;
· Prokuroria Themelore në Prizren ka pranuar në punë 293 lëndë dhe ka përfunduar 386.
Në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, për punën efikase të treguar gjatë muajit janar 2017 u veçuan prokurorët nga Departamenti i Përgjithshëm:
· Fatmir Behrami, 109 lëndë të përfunduara brenda muajit;
· Remzush Latifi, 58 lëndë të përfunduara brenda muajit;
· Merita Lumezi, 54 lëndë të përfunduara brenda muajit;
· Musa Mehaj, 53 lëndë të përfunduara brenda muajit;
Në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, për punën efikase të treguar gjatë muajit janar 2017 u veçuan prokurorët nga Departamenti i Përgjithshëm:
· Veton Shabani, 67 lëndë të përfunduara brenda muajit;
· Bahri Hyseni, 67 lëndë të përfunduara brenda muajit;
Ndërkaq, nga Departamenti për të Mitur në këtë prokurori për punën efikase të treguar gjatë muajit janar 2017 u veçua prokurori Burim Qerkini me 40 lëndë të përfunduara.
Në Prokurorinë Themelore në Gjilan, për punën efikase të treguar gjatë muajit janar 2017 u veçua prokurorja Rozelida Hasani nga Departamenti i Përgjithshëm, e cila 17 lëndë i ka përfunduar me procedura alternative.
Në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, për punën efikase të treguar gjatë muajit janar 2017 u veçua prokurori Ali Uka nga Departamenti për Krime të Rënda, i cili ka përfunduar 9 lëndë.
Në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, për punën efikase të treguar gjatë muajit janar 2017 u veçua prokurori Nijazi Rexha nga Departamenti për Krime të Rënda, i cili ka përfunduar 11 lëndë.
Në Prokurorinë Themelore në Pejë, për punën efikase të treguar gjatë muajit janar 2017 u veçua prokurorja Sanije Seferi nga Departamenti i Përgjithshëm, e cila ka përfunduar 57 lëndë.
Në Prokurorinë Themelore në Prizren, për punën efikase të treguar gjatë muajit janar 2017 u veçuan prokurorët nga Departamenti i Përgjithshëm:
· Sahide Sefa, 69 lëndë të përfunduara brenda muajit;
· Mejreme Hoxha, 56 lëndë të përfunduara brenda muajit;
· Zejnulla Gashi, 50 lëndë të përfunduara brenda muajit;
Ndërkaq, nga Departamenti për të Mitur në këtë prokurori për punën efikase të treguar gjatë muajit janar 2017 u veçuan prokuroret:
· Nazan Shero, 16 lëndë të përfunduara brenda muajit;
· Ariana Shajkovci, 15 lëndë të përfunduara brenda muajit.
Kjo mënyrë e raportimit është praktikë e re në sistemin prokurorial, që do të zbatohet çdo muaj, e kërkuar nga kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi me qëllim të rritjes së efikasitetit të punës së Prokurorit të Shtetit.
Kryeprokurori Lumezi poashtu kërkoi që në takimin e radhës secili kryeprokuror të prezantoi planin e punës, në të cilin të përfshihen sfidat dhe objektivat për secilën prokurori.
Në fund të këtij takimi kryeprokurori Lumezi kërkoi nga të gjithë kryeprokurorët që të bashkëpunojnë ngushtë me Zyrën për Komunikim Publik në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, duke i ofruar kësaj zyreje informacione për aq sa është e lejuar me legjislacionin në fuqi, sa herë që kërkohet nga mediat dhe opinioni publik.