Kardiologjia nuk do t’ia ofrojë më asnjë pacienti, ndjenjën e të qenit person i rëndësisë së veçantë.
Kjo sepse në këtë klinikë të QKUK-së, dhoma e famshme VIP do të hiqet nga shërbimi.
Në këtë dhomë që dikur trajtoheshin të fortit e politikës e persona të tjerë, tani do të kryhet një shërbim tjetër.
Angiografi i ri që pritet të vijë brenda 3-4 muajsh në Kardiologji, do të vendoset në këtë dhomë, në të cilën tashmë kanë filluar punimet për përshtatjen e hapësirës, shkruan Gazeta Shneta.
Këtë e ka konfirmuar edhe drejtori Basri Sejdiu.
“Kjo dhomë nuk do të ekzistojë më pasi ajo është duke u shndërruar në sallë të re për angiografin. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, projekti për vendosjen e këtij aparati është në fazën e tenderimit dhe për 3-4 muaj gjithçka do të jetë gati”, ka deklaruar Dr. Sejdiu.
Mediat patën raportuar më herët për dhomat e famshme VIP nëpër klinikat e QKUK-së.