Një qytetar nga Mitrovica, sot gjatë ditës është sulmuar me shkopinj nga dy të rinj serbë. Viktima, Safet Rama, ka mbetur i alivanosur nga plagët që ka marrë. Ai e ka paraqitur rastin në stacionin verior të policisë në Mitrovicë.
Nga goditjet Rama ka mbetur i alivanosur, ndërkohë që ngjarja ka ndodhur në hyrje të lagjes veriore “Lugina e Doktorëve”.
‘’Isha duke u kthyer në shtëpi rrugës që kalon nëpër “Luginën e Doktorëve”, kur papritmas më janë ofruar dy të rinj që flisnin serbisht dhe kanë filluar së pari të shajnë e pastaj të më qëllojnë me shkopinj prej druri nëpër tërë trupin. Më kanë goditur përderisa jam rrëzuar në tokë dhe jam alivanosur, duke mbetur aty për disa minuta i shtrirë, pa më ofruar askush ndihmë’’ ka rrëfyer Rama, thuhet në komunikatë. Viktima Sadat Rama ka thënë se ka kërkuar ndihmën e mjekut ku dhe i janë konstatuar lëndime serioze trupore.
E për rastin ka reaguar edhe kryetari i komunës së Mitrovicës jugore, Agim Bahtiri.
Ai ka thënë se incidente të tilla kanë për qëllim destabilizim e situatës.
”Të gjithë duhet t’i dënojmë rastet e këtilla të incidenteve ndëretnike, sepse ato mund ta përkeqësojnë situatën e sigurisë, e cila ka një kohë të gjatë që ishte e qetë dhe mjaftë stabile, falë kontributit të vet qytetarëve të të gjitha përkatësive etnike para së gjithash, drejtuesve të komunës, policisë së Kosovës dhe të institucioneve tjera.
Unë edhe me këtë rast ftoj qytetarët që të mos bëhen pre e njerëzve keqbërës me prirje kriminale, që kanë për qëllim destabilizimin e situatës”, tha ndër të tjera kryetari Bahtiri.
Bahtiri ka kërkuar nga policia e Kosovës dhe organet e hetuesisë që rasti të zbardhet sa më shpejtë dhe që sulmuesit të kapen e të vendosen para drejtësisë për të marrë dënimin e merituar, thuhet në komunikatën e dërguar.