Nokia do të blejë “Comptel” për 370 milionë dollarë

Në një lëvizje për t’u përqëndruar më tej në teknologjinë e software-ve, Nokia thotë se ka ofruar blerjen e kompanisë “Comptel” për rreth 347 milionë euro.

Ofruesi i shërbimeve të telekomunikacionit me qendër në Finlandë thotë se marrëveshja ka për qëllim sigurimin e komunikimit dhe shërbimeve digjitale “nëpër rrjetet fizike, virtuale dhe hibride”.

Nokia tha të enjten se Comptel, një kompani ndërkombëtare software-sh me qendër në Helsinki dhe një partner i Nokias prej një kohe të gjatë, përpunon rreth 20 për qind të të dhënave të përditshme të përdorimit të telefonisë së lëvizshme në botë, me më shumë se 2 miliardë përdoruesit përfundimtarë.

Nokia është zgjeruar gjithnjë e më shumë në teknologjinë e software-ve, që kur është bërë një prej ofruesve kryesorë të rrjetit, pas blerjes vitin e kaluar të franko-amerikanes, Alcatel-Lucent.

Nokia, dikur prodhuesi Nr.1 i celularëve në botë, ia shiti divizionin e vet të prodhimit të celularëve kompanisë Microsoft, në vitin 2014.

Temat
Teknologji

Të afërta