Pse po ndodh ndryshimi i kreut shtetëror në Serbi?

Ndryshimet qeverisëse në Serbi, që nga fillimi i negociatave për caktimin e statusit të Kosovës në Vjenë të Austrisë, kanë qenë të shpeshta. Në secilin rast, kur pritej ndonjë vendim i madh rreth Kosovës, në Serbi organizoheshin zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Kështu ka ndodhur edhe vitin e kaluar kur pushteti aktual në Serbi ishte i njëjtë, bile me fuqi më të madhe pasi kishte më shumë deputetë në Kuvendin e Serbisë se që ka tani. Të gjitha sondazhet e vitit të kaluar e nxirrnin koalicionin aktual – SNS dhe SPS – si fitues por me përkrahje më të vogël se që e kishte dhe realisht nuk kishte ndonjë arsye për mbajtjen e zgjedhjeve. Arsye e vetme ishte, natyrisht, procesi dialogues me Kosovën. Personit më të fuqishëm në Serbi, kryeministri Aleksandar Vuçiq, i duhej përkrahja popullore për vazhdimin e dialogut me Kosovën i cili po rrëshqiste, sipas shumë kundërshtarëve të dialogut, në njohje gjithnjë e më të madhe të shtetësisë së Kosovës.

Këtë vit në Serbi, megjithatë, nuk do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme. Serbia do të mbajë zgjedhje të rregullta presidenciale pasi përfundon mandati i Presidentit aktual në Serbi, Tomisllav Nikoliq. Nuk janë përjashtuar as zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare por ato nuk janë konfirmuar.

Po ajo që ishte interesante në këtë rast ishte kandidatura e “befasishme” për President të Serbisë e kryeministrit Vuçiq, i cili mban pozitën më të fuqishme ekzekutive në Serbi. Sipas Kushtetutës serbe, Presidenti i shtetit ka shumë pak kompetenca. Kryeministri, në anën tjetër, ka shumë kompetenca.

Shtrohet pyetja se përse Vuçiqi heq dorë nga një pozitë shumë e fuqishme për të kaluar në një pozitë shumë më të dobët? Gjatë procesit dialogues me Kosovën, Vuçiqi jo pak herë kishte thënë se “kur unë bëj një punë dikush më bezdis” dhe aludimi ishte i qartë – deklaratat e Presidentit Nikoliq i cili shkoi aq larg sa kërcënoi edhe me angazhimin e ushtrisë serbe në Kosovë, pas rastit të trenit provokues nga Serbia dhe pas dërgimit të njësive policore speciale të Kosovës në kufi me Serbinë për të ndalur atë tren.

Se Nikoliqi ishte kandidat i preferuar i Moskës nuk ka qenë një fakt i panjohur por mediat serbe shkuan aq larg sa të thonë se Moska kishte premtuar deri 20 milionë euro për fushatën presidenciale te Nikoliqit.

Nikoliq-i kishte paralajmërura kandidaturën, ndonëse pa asnjë përkrahje, por mbrëmë, pas një takimi më Vuçiqin, duket se ka hequr dorë. Se si u bind Nikoliqi që të heqë dorë ende nuk është bërë e ditur.

Një fije dritë në këtë tunel mund të na japë ish ndërmjetësi i dialogut Kosovë – Serbi, Robert Cooper, i cili tha tash vonë se tandemi Vuçiq – Daçiq ishte shume me fleksibil në dialog se zyrtarët e ish Presidentit të Serbisë, Boris Tadiq. Kur Daçiq dhe Vuçiq kishin nënshkruar Marrëveshjen e Brukselit në vitin 2013, një peshkop serb kishte thënë se “po t’a nënshkruante Boris Tadiq atë dokument, do të varej në Terazi (shesh në Beograd)”.

Pra Tadiqi, i cili nuk njihet si ndonjë nacionalist i madh, ishte më ngurrues në raport me Kosovën pikërisht nga frika e reagimit të opinionit në Serbi dhe kjo i kushtoi me humbjen e pushtetit.

Tani radha po i vjen Nikoliqit që të hapë rrugë për vazhdimin e mëtutjeshëm të dialogut me Kosovën dhe përfundimin e tij pasi që Serbia të plotësojë kushtet e paraqitura dhe që ndërkohë do të paraqiten nga Bashkimi Evropian.

Temat
LajmeRajon

Të afërta