Paralajmërimi i themeluesit të Microsoftit: Jemi në prag të kërcënimit që mund të vrasë mbi 30 milionë njerëz – për më pak se një vit!

Manjati dhe themeluesi i Microsoftit, Bill Gates, mbajti një fjalim shumë të rëndësishëm në Konferencën e Sigurisë në Munih, ku paralajmëroi për një lloj të ri të terrorizmit që, sipas vlerësimit të tij, për më pak se një vit mund të marrë jetët e 30 milionë njerëzve.

“Zonat e luftës dhe shtetet e pasigurta janë vendet ku më së vështiri eliminohen epidemitë. Në zona e njëjta të epidemisë mund të shpërthejnë sërish ato, siç ka ndodhur në Sierra Leone dhe në Liberi ku ka pasur epidemi të ebolës, apo në Kongo dhe në Bririn e Afrikës ku shpërtheu kolera”, ka thënë ai.

Epideminë e ardhshme mund t’i shkaktojnë terroristët duke përdorur virusin e modifikuar gjenetikisht të lisë së ujit apo të ndonjë gripi vdekjeprurës, transmeton Telegrafi.

“Epidemia, pavarësisht nëse vjen natyrshëm apo nga ndonjë akt terrorist, sipas vlerësimeve të epidemiologëve, mund të vrasë më shumë se 30 milionë njerëz në më pak se një vit. Përveç kësaj, vlerësohet se një epidemi e tillë mund të ndikojë në 10-15 vitet e ardhshme”, shtoi ai.

Një katastrofë e tillë ka ndodhur më 1918, kur gripi spanjoll vret mes 50-100 milionë njerëzve. Edhe nëse kjo nuk ndodh, duhet pasë parasysh problemet ekonomike e sociale që mund të shkaktojë për shembull përhapja e ebolës në vendet urbane. Ndaj, Gates kërkon “arsenal” të ri në këtë luftë: investime në bioteknologji, vaksina, ilaçe dhe diagnostifikim.

Për zhvillimin e ilaçeve apo vaksinave të caktuara kërkohen 10 vite, por miliarderi amerikan thotë që ky afat duhet të bie në 90 ditë ose më pak.

“Për epidemi duhet të përgatitemi, siç përgatitet ushtria për luftë”, thotë ai, duke shtuar se është i vetëdijshëm se jo çdo shtet ka mjete për përgatitje të tilla.

Vlerësohet se duhen deri në katër miliardë dollarë në vit për të ndaluar pandemitë e rrezikshme, pasojat e të cilave arrijnë në 570 miliardë dollarë. Ndaj, Gates kërkon aktivizim, meqë pas kërcënimeve klimatike e luftës bërthamore, pandemitë janë rreziku tjetër më i madh për njerëzimin.

“Megjithatë jam optimist dhe besoj se për 10 vite do të jemi shumë më të përgatitur”, thotë ai. “Pandemia e ardhshme do të jetë katastrofë e paparë në analet e njerëzimit. Por, mund të ndodh edhe diçka tjetër: fitorja e vullnetit njerëzor. Ky do të ishte një moment që të tregojmë se jemi të aftë të ballafaqohemi me sfidat më të mëdha e ta bëjmë botën më të sigurt, më të shëndetshme e më stabile”.

Temat
Teknologji

Të afërta