Vitin e kaluar ishin 220 milionë € investime të huaja direkte

Zhvillimi ekonomik i Kosovës për nëntë vite të pavarësisë, mbetet në një shkallë jo të kënaqshme, thonë ekspertë të fushave ekonomike.
Me gjithë përparimet e shënuara, nëntë vite pas shpalljes së pavarësisë, vlerësohet se shteti më i ri në Evropë nuk ka arritur të krijojë ekonomi të zhvilluar, të krijojë kushte më të mira për sektorin privat, investitorë të huaj, ndërkohë që vazhdon të përballet me një shkallë të lartë të papunësisë dhe varfërisë.

Njëherësh, ekspertët rikujtojnë se Kosova nuk ka arritur të shënojë rritje ekonomike mbi katër për qind, si një përqindje e domosdoshme për zhvillim ekonomik dhe zbutje të papunësisë.

Po ashtu, edhe pritjet që investimet e huaja të rriten pas shpalljes së pavarësisë, nuk u përmbushën.

Në vitin 2008, investimet e huaja ishin 355 milionë euro, kurse për njëmbëdhjetë muajit e fundit të vitit të kaluar, investimet e huaja kanë qenë rreth 220 milionë euro. Remitencat, ndërkaq, po thuajse për çdo vit kanë qenë mbi një miliard euro.

Përderisa në vitet 2010 – 2011, rritja ekonomike ishte mbi 5 për qind, në katër vitet e fundit kjo rritje kishte rënë në tre, përkatësisht katër për qind.

Ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit, thonë se gjatë kësaj periudhe ka pasur lëvizje pozitive, por vazhdimisht ekonominë e ka përcjellë korrupsioni dhe mungesa e sundimit të rendit dhe ligjit.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thotë për Radion Evropa e Lirë, se gjatë nëntë viteve të pavarësisë së Kosovës, agjenda politike ka dominuar për shkak të specifikave të veta që ka në dimensionin politik.

“Por, a kemi arsye për kënaqësi? – Jo. Kemi një shkallë të lartë të papunësisë, kemi një trend ekonomik zhvillimor që duhet të jetë shumë më i lartë. Dhe, mbi të gjitha, kemi rënie të investimeve të huaja”.

“Në qoftë se tani e tutje mendohet të bëhet më tepër për procese ekonomike, atëherë definitivisht sundimi i rendit dhe ligjit duhet të jetë prioritet”, thotë Gërxhaliu.

Ndërkaq, eksperti tjetër për çështje ekonomike, Ismail Kastrati, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se zhvillimi ekonomik gjatë kësaj periudhe është realizuar në mënyrë jo të organizuar dhe pa ndonjë strategji të mirëfilltë zhvillimore.

“Duke filluar nga privatizimi, i cili ka degraduar në masë të madhe, pastaj korrupsioni, nepotizmi, klientelizimi e kanë degraduar procesin zhvillimor të ekonomisë së Kosovës. Kështu që ka zhvillim, por jo zhvillim të qëndrueshëm dhe jo me një perspektivë të qëndrueshme dhe afatgjate”, thekson Kastrati.

Sa i përket sektorit privat, vlerësohet se Kosova vite me radhë është duke u ballafaquar me një ambient jo të favorshëm biznesor.

Në hulumtimet e bëra, janë identifikuar barriera të shumta në të bërit biznes në Kosovë, siç është mungesa e përkrahjes shtetërore, konkurrenca jo e drejtë e shkaktuar nga evazioni fiskal dhe ekonomia joligjore. Pastaj furnizimi jo stabil me energji elektrike, kontestet ekonomike ndërmjet bizneseve si dhe normat e larta të kredive, janë disa nga pengesat.

Duke marrë për bazë të gjitha këto probleme, komuniteti i biznesit, sipas Gërxhaliut, mund të bartë “epitetin e heroit të Kosovës, pas shpalljes se pavarësisë”.

“Nëse dikush e meriton epitetin ‘heroi’ i Kosovës së pasluftës, në këto nëntë vjet të pavarësisë, përfundimisht është komuniteti i biznesit, i cili ka kontribuar, qoftë në buxhetin e Kosovës, qoftë në stabilitetin ekonomik apo në stabilitetinsocial”, konsideron Gërxhaliu.

Me gjithë ngecjet që i veçojnë njohësit e çështjeve ekonomike, bazuar në shifrat zyrtare, gjatë këtyre nëntë viteve vërehet një përmirësim tek ulja e shkallës së papunësisë dhe varfërisë.

Shkalla prej 43 për qind e papunësisë është zbutur në rreth 27 për qind. Kurse, varfëria e përgjithshme, më 2008, ishte në shkallën prej 45 për qind, kurse në vitin 2015, në rreth 20 për qind.

Edhe paga mesatare në sektorin publik ka shënuar rritje. Paga mesatare për punonjësit në institucionet publike ka qenë 206 euro, ndërkaq aktualisht është 429 euro, derisa në sektorin privat, paga mesatare është rreth 349 euro.

Paga minimale në Kosovë, është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç, dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç.

Kurse, shporta mujore e një qytetari në Kosovë llogaritet të jetë 115 euro, konsumi për ekonomitë familjare mbi 7500 euro, shumë kjo që nuk siguron një standard të mirë jetësor për qytetarët.

Shuma e pensioneve është rritur, madje, është bërë edhe kategorizimi i tyre. Pensioni bazë është 158 euro, kurse pensioni më i lartë 240 euro, varësisht nga kualifikimi arsimor dhe përvoja e punës. Pensioni i pleqërisë 75 euro në muaj.

Pavarësisht, këtyre shifrave, edhe në Kosovë figurojnë milionerë me pasuritë e tyre, ku përveç biznesmenëve, milionerë janë edhe zyrtarë të lartë të institucioneve qendrore dhe lokale.

Por, Kosova vazhdon të kritikohet nga institucionet ndërkombëtare për nivel të lartë të korrupsionit.

Në anën tjetër, sektori bankar, vazhdimisht është cilësuar stabil dhe likuid. Bankat komerciale vazhdojnë të operojnë me norma të larta të interesit.

Sidoqoftë, gjatë periudhës se shtetësisë, Kosova është anëtarësuar në disa institucione ndërkombëtare financiare, si në Bankën Botërore,Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Ekonomike për Rindërtim dhe Zhvillim kurse nga muaji prill i vitit të kaluar ka hyrë në fuqi zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. (REL)

Temat
LajmeVend

Të afërta