Së fundi, Stine ka publikuar një këngë të re, me titullin “Bela”, një projekt, të cilin këngëtari e ka shumë për zemër.
Por, përveç karrierës, Stine ka pasur edhe ndryshime të mëdha në jetën e tij. Për herë të parë për “Bluetooth”, artisti tregon për bashkëshorten e tij Gracia dhe vogëlushen e sapolindur Estia, e cila e ka bërë krenar. Nesti, sapo ke publikuar një këngë të re.
“Bela” i dedikohet një femre në veçanti?
Jo nuk ka asgjë specifike, thjesht i dedikohet të bukurës në përgjithësi.
Zakonisht je vetë autor i muzikës dhe i teksteve të tua. Po këtë herë me cilët ke bashkëpunuar?
Me veten, për sa i përket kompetencave të mia, kuptohet. Më tej, për videon dhe audion kemi pasur bashkëpunime me miqtë e mi si, Natti Daja që është kujdesur për audio remix dhe Endi Hoxha për video edit.
Janë dhjetëra balerinë në videoklip. Ishte ideja jote, skenari i tij?
Po normal, unë gjithmonë merrem me këtë pjesë, se e bëj me kënaqësi të jap idetë e mia për çdo gjë, pastaj e vendosim bashkë me stafin.
Ka vetëm dy ditë që është lançuar videoklipi dhe ka rezultuar vërtetë i suksesshëm. E prisje?
Deri diku po, të jem i sinqertë, por jo kaq shumë. Gjithsesi, rëndësi ka që njerëzit reagojnë nëse dikush bën diçka të bukur jashtë rutinës dhe për këtë më vjen mirë që jam edhe unë pjesë e kësaj.
Je ndër të rrallët muzikantë që i kanë qëndruar besnikë stilit që i identifikon. Je tunduar për të ndryshuar?
Ndryshimet janë të bukura nëse i sjell bukur dhe i servir në kohën e duhur dhe kam në plan, por stili që unë bëjë dhe kam bërë është brenda kornizave të mia dhe shumë “in” për momentin. Kështu që nuk kam arsye të ndryshoj. Por asnjëherë nuk i dihet, asnjëherë të mos themi asnjëherë.
“I çmende dhe portalet”, thua në këngën “Bela”?
Cili është lajmi më komik që ke lexuar për veten?I çmende dhe portalet, i them Belës në këngë. Ndërsa komente komike ka pa fund, por më e fundit ishte që “Stine mban syze, sepse ka probleme me sytë”. Kam qeshur me lot. Nejse, me këtë rast mund t’i bëjmë reklamë klinikave në përgjithësi.
Jeta ka ndryshuar tashmë për ty me ardhjen në jetë të Estias. Si është Stine si baba?
Po, ka ndryshuar dhe për mirë, kuptohet. Dhe jam krenar që jam bërë baba i një vajze aq të bukur dhe aq të mbarë si Estia. Unë mundohem dhe jap maksimumin tim të jem gjithmonë një baba i mirë.
Dimë shumë pak për jetën tënde private. Kush është vajza që të ka fituar zemrën?Vajza që më ka fituar zemrën para shumë vitesh është pikërisht ajo, nëna e fëmijës tim sot. Ajo quhet Graci dhe me këtë rast e përshëndes.
Ishte xheloze partnerja jote për takimin që pate me Rozën?
Jo, pasi ato njihen me njëra-tjetrën dhe nuk kemi probleme të tilla. Edhe ajo vetë artiste është dhe e kupton pjesën profesionale.(Bleutooth)