Plisat kanë reaguar pas deklaratave të policisë se u janë gjetur atyre në autobus koktej molotovi
Ndeshja e mbrëmshme për Kupën e Kosovës në Basketboll ndërmjet Trepçës dhe Prishtinës, u karakterizua edhe me incidente, ku për pasojë kishte policë të lënduar dhe tifozë të arrestuar.
Me të hyrë në palestër tifozët mysafirë “Plisat”, filluan sharjet dhe gjuajtjet nga të dyja anët. Pas tensionimit të skajshëm në të dy taborët, organizatori vendosi që t’i largojë nga tribuna tifozët e Prishtinës “Plisat”, për të qetësuar situatën.
Mirëpo, pastaj janë sulmuar autobusët me tifozë të Prishtinës.
Policia në Mitrovicë ka arrestuar 11 persona si të dyshuar për prishje të rendit dhe sulm ndaj personave zyrtarë, pasi që gjatë këtij incidenti, kanë mbetur të lënduar 4 pjesëtarë të Policisë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, tha se në njërin prej autobusëve janë gjetur koktej molotovi, por dicka të tillë kanë hedhur poshtë Plisat përmes një postimi në Facebook.
“Në vend se të gjejnë fajtorin kryesor për sulmin qyqar që iu bë Plisave, lojtarëve dhe stafit të KB Prishtinës nga persona që shfrytëzuan terrin, gurët dhe të qenit në shtëpinë e tyren, dikush po përpiqet që të ndajë fajin mes të gjithëve në mënyrë të barabartë, si rrugë më e përshtatshme për ikjen nga përgjegjësia”, shkruhet në reagimin e Plisave.
“Në këtë kontekst po plasohet edhe lajmi për gjetjen e shisheve me koktej molotovi në njërin prej autobusëve me të cilin po barteshin Plisat. Me këtë rast në hedhim poshtë këtë pretendim, kërkojmë nga organizatori i turneut të na kompenzojë dëmin material që erdhi si rezultat i dështimit të organizimit të tyre, e mos të përpiqen që paaftësinë e tyre ta fshehin me gënjeshtra”, thuhet më tej reagimin e Plisave.