Këngëtarja e njohur Argjentina Ramosaj i ka munguar për rreth dy vite skenës muzikore, kjo për shkak të angazhimeve të saj në familje, pasi këngëtarja tash e një kohë ka fituar titullin nënë, ndaj e gjithë lumturia e saj mban emrin Noah.
Edhe pse e shkëputur nga muzika, publiku nuk e ka harruar asnjëherë këngëtaren, e cila me zërin e saj të ëmbël solli disa balada të bukura ndër vite, e ndërsa rikthimi i saj në muzikë është duke filluar numërimin mbrapsht.
Kjo, pasi së fundmi këngëtarja ka realizuar projektin e saj më të ri muzikor, një këngë të zhanrit pop, të cilën pret ta publikojë brenda pak ditësh edhe me videoklip.
Në një prononcim ekskluziv për Telegrafin, Argjentina Ramosaj ka rrëfyer emocionet për këtë rikthim të saj në muzikë, pas gjithë kësaj kohe,
“Mendoj se e kam pasur të nevojshme një pauzë të shkurtër, por sigurisht më ka munguar shumë muzika. Është diçka që unë e dua shumë dhe e bëj me pasion”, u shpreh ajo.
Ndërkohë kënga e saj e re, do ta sjellë Argjentinën e mëparshme, por pak më ndryshe në stil, ndërsa më tej këngëtarja shtoi gjatë prononcimit se cilët janë bashkëpunëtorët që ajo ka zgjedhur për këtë projekt,
“Kënga është në zhanrin pop, muzikën e ka bërë Donat Prelvukaj, ose siç e njohim ne të gjithë Chricket Beats, tekstin e kanë shkruar Elhaid Cufi bashkë me Yll Limanin, ndërsa për videoklipin po kujdesen produksioni Entermedia”.
Këto ditë kanë përfunduar edhe xhirimet e klipi, për të cilin janë përzgjedhur me kujdes lokacione të cilat i përshtaten thjeshtësisë së këngës, ndaj dhe Entermedia kanë menduar se kanë bërë zgjedhjen e duhur duke marrë rrugën drejt bukurive të Valbonës, për të realizuar këtë klip,
“Xhirimet janë bërë në Valbonë, ku shkuam bashkë me stafin dhe kaluam shumë mirë. Është sigurisht e lehtë të realizosh diçka të bukur kur xhiron në një vend aq mahnitës, kur ke një ekip shumë profesional dhe të talentuar siç janë Entermedia, dhe sigurisht Diana Qerimin e cila është kujdesur për stylingun, dhe partnerët Sellma dhe Kaci për flokët dhe grimin”, tha Argjentina për Telegrafin.
Të rikthehesh me një projekt pas një pauze mjaft të gjatë nuk është dhe aq e lehtë, aq më tepër në një treg të ngarkuar siç është ky i sotmi në estradën muzikore. E pyetur nga Telegrafi për pritshmëritë e suksesit rreth këngës së re, këngëtarja u shpreh,
“Pritshmëritë e mija janë të realizohet me sukses ky projekt dhe sigurisht të pëlqehet nga admiruesit e muzikës, andaj puna ime po vazhdon që të sjell sa më shumë këngë këtë vit”.
Ndërkohë Telegrafi ka përcjell me kujdes xhirimet e kryera pak ditë më parë në bukuritë e Valbonës, dhe ju sjellim në vazhdim disa fotografi ekskluzive nga klipi, i cili do ta sjell këngëtaren Ramosaj më të bukur dhe më në formë se asnjëherë më parë.
Nuk është një përrallë, është ‘zana’ Argjentinë në bukuritë e Valbonës me projektin e saj të ri. /Telegrafi/
A post shared by Argjentina Ramosaj (@argjentinaramosaj) on Feb 15, 2017 at 7:37am PST