Hoxhaj me homologun austriak: Objektiva të qarta në aktivitete të përbashkëta me Austrinë

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj po qëndron për vizitë në Mynih, ku po merr pjesë në Konferencën vjetore të Sigurisë.

Në këtë konferencë, është i pranishëm edhe Presidenti Hashim Thaçi
Ministri Hoxhaj ka takuar homologët e tij nga vendet e ndryshme të Europës. Hoxha është takuar me ministrin e jashtëm të Austrisë, Sebastian Kurz, me të cilin janë pajtuar për planin e veprimit për aktivitetet e përbashkëta mes Kosovës dhe Austrisë, i cili përmban detaje të aktiviteteve të përbashkëta në politikën e jashtme në fusha të të dyja vendeve.

“Ky plan i veprimit vë objektiva të qarta dhe të matshme në aktivitetet tona të përbashkëta me Austrinë”, tha Hoxhaj.

Komunikata e dërguar nga Ministria e Jashtme e Kosovës tregon se ministri Hoxhaj ka zhvilluar takim me Komisionerin Hahn, me të cilin kanë biseduar për agjendën evropiane të Kosovës, MSA-në dhe liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, si dhe takim dy palësh është zhvilluar edhe me komisionerin Avramopoulos.

Në kuadër të agjendës së takimeve në Mynih, Hoxhaj ka zhvilluar takime me shumë homologë evropian, si ministrin e Jashtëm të Çekisë, Sllovakisë, ministren e Lihtenshtajnit, me të cilët kanë biseduar për bashkëpunimin bilateral. Këtë agjendë Hoxhaj do ta vazhdojë gjatë gjithë kohës së qëndrimit atje.

Temat
BotëLajmeVend

Të afërta