Nënpresidenti amerikan Mike Pence fillon këtë fundjavë një turne në Mynih dhe Bruksel, vizita e tij e parë jashtë vendit që kur filloi nga detyra e nënpresidentit muajin e kaluar.
Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë tha se udhëtimi është një mundësi që nënpresidenti, në emër të Presidentit Donald Trump, t’i sigurojë aleatët për partneritetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Europës dhe parashtrojë përparësitë amerikane në marrëdhënien transatlantike.
Udhëheqësit europianë kanë shprehur shqetësime për presidencën e zotit Trump, pas shprehjeve të tij admiruese ndaj Presidentit rus Vladimir Putin dhe pasi ai u shpreh për NATO-n si një organizatë e vjetëruar.
Të shtunën nënpresidenti amerikan do të flasë në Konferencën për Sigurinë në Mynih. Një këshilltar tha se zoti Pence do të japë mesazhin se “të gjithë jemi më të sigurtë dhe më të begatë kur SHBA dhe Europa janë të fuqishme dhe në unitet”.
Në Mynih, zoti Pence pritet të takohet me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe disa udhëheqës të Europës Lindore. Ai do të takohet gjithashtu me presidentin afgan Ashraf Ghani dhe me kryeministrin irakian Hiader al-Abadi.
Në Bruksel, zoti Pence do të ketë takime me një numër udhëheqësish të Këshillit Europian, përfshirë Presidentin e Këshillit Europian Donald Tusk dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg./VOA